Bota

Socialdemokratët fitojnë ngushtë me 25.7% ndaj CDU / CSU të Merkel, fillojnë diskutimet për koalicionin qeverisës.

Me të gjitha votat e numëruara nga komitetet zgjedhore, Social Demokratët (SPD) dalin fitues në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën në Gjermani , para partisë konservatore të kancelares në largim Angela Merkel.

Sipas Komisionin Zgjedhor Kombëta, SPD mban 25.7% të votave, rezultati më i mirë që ka regjistruar në shumë vite, ndërsa CDU / CSU mori 24.1% (-8.9% në krahasim me zgjedhjet e mëparshme), duke shënuar rezultatin më të ulët në historinë e tyre pas 16 vitesh në pushtet.

Olaf Scholtz bëri të qartë që partia e tij ka një mandat të plotë për të drejtuar.

Ndërkaq partia e të Gjelbërve ka siguruar përqindjen më të lartë që nga themelimi i partisë, duke siguruar 14.8% të votave, duke u rënditur deri më tani forca e tretë më e madhe në Bundestag.

Demokratët e Lirë (FDP) po përmirësojnë pozicionin e tyre, duke fituar 11.5% të votave. Partia ksenofobike, e djathta ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD) zbret nga vendi i tretë në vendin e pestë me 10.3% të votave. Partia “E Majtë” bie në 4.9%.

Me rezultatet e fundit të zgjedhjeve , Gjermania po hyn në një fazë shumë më të paparashikueshme, përballë negociatave të vështira për të formuar qeverinë e ardhshme ose nën Social Demokratët, të cilët fituan, por me një diferencë të ngushtë, ose nën konservatorët.

Këto zgjedhje ishin të paparashikueshme që në fillim dhe rezultati nuk është domosdoshmërisht ai që do të përcaktojë fundin e garës. Fillimisht, kancelarja në largim, Angela Merkel, do të duhet të qëndrojë derisa të formohet koalicioni, kështu që asaj mund t’i duhet të presë deri në Krishtlindje.

Pasardhësi i saj pritet të udhëheqë ekonominë kryesore të Evropës për katër vitet e ardhshme, me ndryshimet klimatike në krye të axhendës së votuesve.

Qeverinë e formon partia më e madhe që arrin të krijojë koalicion me partitë e tjera. Gjermania e ka provuar një herë bashkëqeverisjen mes konservatorëve dhe socialdemokratëve. Mbetet për t’u parë nëse do të kemi një “deja vu” politike.