Bota Sport

Solidaritet për komunitetin LGBTQ+, por Katari nuk iu lejon skuadrave shiritin “One love”!

Skuadrat që në Kupën e Botës në Katar kishin planifikuar të mbanin shiritin shumëngjyrësh të kapitenit me logon “One Love” (Një dashuri) janë tërhequr nga nisma. Kjo prej frikës së sanksioneve nga ekzekutivi i futbollit botëror, FIFA, siç thuhet në një deklaratë të përbashkët.
Shtatë skuadra europiane që u regjistruan në fushatën “One Love”, përfshirë Anglinë dhe Gjermaninë, patën thënë se ishin të përgatitura të paguanin gjoba, por duket se ndryshuan mendje.

FIFA ka qenë shumë e qartë se do të vendosë sanksione sportive nëse kapitenët tanë veshin shiritat në fushën e lojës.

Vendet pjesëmarrëse e informuan FIFA-n në shtator për dëshirën e tyre për të mbajtur shiritin shumëngjyrësh në Katar, si një shenjë për diversitetin mes kritikave ndaj vendit pritës për kushtet e tij të të drejtave të njeriut dhe trajtimin e komunitetit LGBTQ+.

Lojtarët dhe trajnerët tanë janë të zhgënjyer. Ata janë mbështetës të fortë të përfshirjes e do të tregojnë mbështetje në mënyra të tjera.

Botërori i futbollit në Katar nisi dje, jo pa polemika të cilat kreu i FIFA-s, Infantino është munduar më kot t’i shuajë. Infantino porositi botën e futbollit të fokusohet te loja dhe të mos shesë moral, se sipas tij, “diçka e tillë do të ishte hipkrizi”. Ai u shpreh se ndihet arab, homoseksual dhe emigrant.

Vazhdimisht, grupet e të drejtave të njeriut japin alarmin se punëtorët e huaj të angazhuar në Katar në ndërtimin e stadiumeve u paguan në kufi me skllavërinë e nuk gëzojnë të njëjtat të drejtat me punëtorët vendas. Po ashtu, u vendos ndalimi i birrës, përveçse në disa zona të përcaktuara.

Më tolerante nuk janë treguar as mediat më të njohura sportive në botë që “masakruan” Katarin për paraqitjen e dobët dje në ndeshjen me Ekuadorin. Dita e dytë e Botërorit të Futbollit në Katar, tre sfida të parashikuara për sot. Në orën 14:00, Anglia përballet me Iranin, në 17:00, sfida Senegal-Holandë e në 20:00 të mbrëmjes, Amerikë-Uells. Kujtojmë se sfida hapëse mes Katarit dhe Ekuadorit përfundoi 0-2, me një paraqitje zhgënjyese të vendit organizator.