Botë e Çuditshme Tech

Sonda e NASA-s “prek” Diellin?!

Sonda e NASA-s, ‘Parker Solar’, mësohet se ka “prekur” Diellin rreth prillit, por lajmi u përhap vetëm sot. Sonda u bë anija e parë kozmike që fluturoi nëpër atmosferën e jashtme të Diellit. Mjeti i teknologjisë së lartë i ka rezistuar temperaturave deri më 1300 gradë Celsius dhe rrezatime deri 500 herë më të forta se në Tokë.

Sonda e ndërtuar në 2018 duhet t’i përgjigjej disa të panjohurave, veçanërisht për sa i përket çështjes së erërave diellore dhe fushave magnetike, që po bëhen gjithmonë e më të rrezikshme për satelitët dhe transmetimin e informacioneve. Sonda arriti deri tek korona e jashtme e yllit, rreth 8.6 milionë kilometra nga bërthama dhe mendohet se në vitin 2025 orbita e saj të prekë limitin e 3.8 milionë kilometrave.

Të dhënat e ardhura deri më tani po i lejojnë astronomët dhe fizikanët të kuptojnë më mirë strukturën e koronës diellore, që duket më e copëzuar sesa mendohej. Drejtori i misionit të NASA-s, Thomas Zurbuchen tha se:

Ky është një hap i madh për shkencën dhe njohuritë mbi diellin.

Sonda tani po rrotullohet më afër sipërfaqes diellore, duke bërë zbulime gjatë rrugës.

Rikujtojmë, se para disa ditësh NASA nisi një mision të rëndësishëm, për të eksploruar misteret e hapësirës. Zbuluesi i nisur në hapësirë me raketën Falcon 9 të SpaceX, do të eksplorojë disa nga objektet më të mistershme të universit, përfshirë vrimat e zeza dhe yjet pulsues që dërgojnë sinjale elektromagnetike.

Zbuluesi, i quajtur IPEX, është një vëzhgues hapësinor që ka disa teleskopë të fjalës së fundit të teknologjisë, me detektorë tepër të ndjeshëm. Sateliti u nis në orën 1 të mëngjesit nga Qendra Hapësinore “Kennedy” në Florida. Zbuluesi, i cili është krijuar si bashkëpunim i NASA-s me Agjencinë Italiane të Hapësirës, ka tre teleskopë.