Aktualitet

Sondazh/A mendoni se në fitoren e Benet Becit në Shkodër ka ndikuar dhe Luiz Ejlli?

Shkodra i ka thënë jo koalicionit “Bashkë Fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës, duke bërë që për herë të parë që nga komunizmi, kjo Bashki të drejtohet nga socialistët. Benet Beci ka bërë histori në zgjedhjet e 14 majit duke fituar në një bastion historikisht demokrat dhe kjo fitore ka qenë me një diferencë të thellë me rreth 11 mijë vota më shumë.

Referuar të dhënave zyrtare, Benet Beci ka marrë 33180 vota, e ndërsa Bardh Spahia i koalicionit “Bashkë Fitojmë” mori vetëm 21875 vota. Ndonëse Berisha dhe Meta bashkuan forcë dhe Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt nuk nxori një kandidat të sajin, kjo nuk mjaftoi që të merrnin Bashkinë e Shkodrës, e cila ishte aq shumë e dëshiruar edhe nga socialistët prej vitesh.

E një ndër mbështetësit e Becit, që e tregoi hapur drejtimin dhe votën e tij, ishte dhe fituesi i “Big Brother VIP”, Luiz Ejlli. Edhe kur ishte në shtëpi, Luizi tregoi mirënjohje për të që e kishte ndihmuar në momentet e tij të vështira. Para pak ditësh ne ngritëm një sondazh në faqen tonë të web-it ku pyetëm ndjekësit nëse ata mendonin se në fitoren e Benet Becit në Shkodër ndikoi dhe Luiz Ejlli. 82% janë përgjigjur me po, 14% janë shprehur se jo, ndërsa vetëm 4% janë shprehur asnjëanës.

Ndërkohë sonazhi i ri është: “Pretendimet e kandidatit të “Bashkë Fitojmë” në Kamëz, a mendoni se duhet të ketë rivotim në 10 qendra?” Votoni në këtë link për të dhënë mendimin tuaj.