Aktualitet

Sondazhi i TAR/ Shqipëria me kriminalitet në rritje?! Shqiptarët: Rastet e tregojnë qartë!

Kriminaliteti në Shqipëri vijon të jetë i lartë dhe këtë e tregojnë ngjarjet e shumta kriminale të cilat na kanë shoqëruar përgjatë këtij viti. Atentate mafioze, vrasje me tritol në mes të ditës, vrasje me pagesë, vjedhje e kërcënime janë ngjarjet që trondisin opinionin publik jo rrallë herë në qytete të ndryshme të vendit.

Sipas një sondazhi të Top Albania Radio, 80% e qytetarëve mendojnë se rastet e tregojnë qartë rritjen e kriminalitetit në vend.  Ndërkaq vetëm 20% nuk mendon kështu.

Mjafton të kujtojmë disa nga ngjarjet e fundit si eleminimi i 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj me tritol në makinë, atentati me armë zjarri në Fushë-Krujë, ku u plagosMarklen Haka i njohur si anëtar i “Bandës së Niklës”, vrasja e shtetasit Prek Tonaj në Shkodër, etj, për të kuptuar që krimi nuk fle kurrë.

Sakaq, referuar një raporti të Prokurorisë së Përgjithshme mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin e kaluar, krimi më i zakonshëm në Shqipërinë e vitit 2021 ka qenë vjedhja e pasurisë, që zë 27.8% të numrit të përgjitshëm të procedimeve. Ndërsa veprat penale me zero hetim të regjistruara kanë qenë ato kundër lirisë së besimit dhe kundër pavarësisë e integritetit.

Sa i përket shpërndarjes gjeografike të ngjarjeve kriminale, numrin më të madh të hetimeve penale e ka Tirana, që ndiqet nga Elbasani dhe Durrësi. Në kahun e kundërt, prokuroritë me numër më të vogël hetimesh, më pak se 1% e totalit të gjithë vendit, janë ato të Tropojës, Matit, Pukës e Përmetit.

Referuar koeficientit të kriminalitetit të llogaritur për 100 mijë banorë, qarku me përqindjen më të ulët për vitin 2021 ishte Qarku Dibër, me 633, ndërsa përqindjen më të lartë e ka Qarku Vlorë, me 1509.

Si një vit zgjedhor, gjatë 2021 prokuroritë e rretheve kanë çuar 7 çështje penale në gjyq me 52 të pandehur për krimet zgjedhore. 46 prej tyre janë dënuar.

Gjatë vitit të kaluar, kanë pasur një tendencë në rritje të hetimit të krimeve seksuale dhe veprave penale kundër moralit e dinjitetit, ku përfshihen “shfrytëzimi i prostitucionit”, “përndjekja” dhe “shpifja”.

Nga ana tjetër Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion deklaron:

Krimi i organizuar ka ardhur duke u konsoliduar, patjetër. Sidomos e shohim dhe jashtë vendit aktivizimin e tij. Shohim grupe të strukturuara kriminale, të ndërthurura me grupet kriminale të vendeve të tjera. Pra, ka ardhur duke u konsoliduar, por dhe shteti duhet të konsolidojë goditjen e tij. Në këtë sens, ne jemi munduar të rrisim në mënyrë të vazhdueshme së pari besimin e partnerëve në raport me punën që ne bëjmë, e pastaj të punojmë e të koordinohemi me ta në mënyrë të vazhdueshme. Mund t’iu them që për vitin 2021, krahasuar me 2020-ën, është trefishuar numri i kërkesave për ndihmë juridike që ne kemi nga jashtë apo raportet proceduriale me partnerët ndërkombëtare.

Kraja thotë se struktura është krijuar, është konsoliduar, është në rrugën e duhur dhe forcohet përditë e më shumë. Kështu që në vijimësi do të ketë rezultate për parandalimin dhe uljen e kriminalitetit në vend.