Politikë Rajoni

Sondazhi i TAR/ Tensionet në veriun e Kosovës, mendoni se kryeministri Albin Kurti duhet të tërheqë kryetarët shqiptarë nga komunat në veri me shumicë serbe?

Për Prishtinën zyrtare, situata e tensionuar në veri të Kosovës është pasojë e grupeve të armatosura që shtiren si protestues, por në fakt janë banda kriminale të Serbisë. Kryeministri Albin Kurti përforcon qëndrimin e shprehur më herët gjatë ditës nga presidentja Vjosa Osmani, në samitin e komunitetit politik europian në Moldavi se nuk tërhiqet dhe shprehet se policët do të largohen kur të ikin bandat kriminale të Serbisë!

Por, çfarë mendojnë shqiptarët se duhet të bëjë kryeministri Kurti, t’i tërheqë kryetarët shqiptarë nga komunat në veri me shumicë serbe apo jo? 77% , pra pjesa më e madhe kanë votuar për Jo, 15% për Po dhe Nuk e di, 8%.

Shefi i Elizesë, Macron tha se bën përgjegjës autoritetet e Kosovës për tensionet në veriun e vendit, me shumicë serbe. Në Moldavi, Kosova dhe Serbia akuzuan njëra-tjetrën për atë që po ndodh në veri. Presidentja Osmani tha se “Serbia duhet të ndalojë aktivitetet e saj, që synojnë destabilizimin e Kosovës, për t’i dhënë fund dhunës në veri të vendit”.

Presidenti serb, Vuçiç deklaroi se për të ulur tensionet, autoritetet e Kosovës duhet të tërheqin ata që i quajti “kryetarë të supozuar” nga komunat me shumicë serbe në veri.

Sërish, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u kërkoi drejtuesve të Kosovës e të Serbisë që të ulin tensionet, duke paralajmëruar se ata po rrezikojnë aspiratat e integrimit europian. Gazetarëve në Oslo të Norvegjisë, Blinken iu tha:

Ne u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës e të Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shkruan se qytetarët serbë në komunat veriore janë të kushtëzuar që të dalin në protesta e organizime të drejtuara nga subjekti politik, Lista Serbe.

Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë.  Këto veprime duhet të ndalen, në mënyrë që qytetarët serbë të Kosovës të jetojnë pa presione e kërcënime.