Sociale

Sondazh: Ja çfarë duan më shumë shqiptarët për vitin 2021

Duket si një makth, si një ëndërr e keqe, një vit që s’ka ekzistuar, një sprovë e madhe për njerëzimin. Ndoshta nuk ngopemi dot duke sharë këtë vit të mallkuar, por prap të keqen nuk mund ta ndyshosh.

Ndërsa humbëm njerez para syve, besojmë akoma më shumë se ky vit ishte mes nesh. Besojmë që nuk duhet të bëjmë shumë plane, besojmë që para se të ëndërrojmë për luks e qefet e tepërta duhet të mendojmë për jetën, për shëndetin.

Si zakon i përvitshëm ne i urojmë vetes dhe të afërmve një Vit të Ri sa më të mbarë, të bukur, me shëndet e shumë lumturi. Po kështu i uruam edhe 2020-ës, por morëm një shuplakë që do ta mbajmë mend gjatë dhe do të mbetet një shenjë e pashmangshme.

Ne në Top Albania Radio krijuam një sondazh, pikërisht për të zbuluar se çfarë kërkojnë shqiptarët këtë vit të ri, çfarë ju mungon dhe si pasojë e pandemisë, çfarë dëshirojmë tashmë për vitin 2021?!

Nga sondazhi i krijuar rezultatet ishin të pritshme deri në një farë pike edhe pse shëndeti zë vendin e dytë në renditje. Ndoshta sepse pa pasur para në xhep nuk mund ta shpëtosh edhe shëndetin, nuk mund të marrësh trajtimin më të mirë apo nuk mund ta paguash mjekun. Gjithsesi COVID-19 nuk përzgjodhi, edhe personat më të pasur e humbën betejën me të.

Vendin e parë të sondazhit e zë paraja me 35% të votave. Kjo, për arsye se koronavirusi i dha një shkelm ekonomisë në shtrirje globale. Kjo për arsye se shumë njerëz që nuk kishin të hanin bukë iu duhej të përballeshin edhe me pandeminë, të blinin dezinfektues, dorashka, maska dhe çdo gjë tjetër të nevojshme. U përballëm me karantinën dhe të gjitha bizneset u mbyllën, shumë pak qendruan në këmbë, por humbja bëri të vetën! Prandaj 2020 quhet një vit i humbur. Një vit që na nxiti më shumë drejt parasë!

Në vendin e dytë renditet shëndeti me 22% të votave. Normalisht që ne shëndetin e kemi vendosur gjithmonë në vend të parë dhe i tillë do mbetet, pavarësisht gjithçkaje apo zhgënjimi. Ndoshta i tillë ishte ky vit që lam pas sepse dogji para syve tanë çdo dëshirë edhe atë më minimalen.

Po me 22% të votave në vend të tretë renditet edhe rritja në karrierë. Nëse ti je i rritur në karrierë, do të shpërblehesh me një pagë më të mirë, do kesh në gjendje më shumë para dhe do të kujdesesh më shumë për cilësinë e jetesës.

Ndërsa në vend të katërt me 17% renditet “paqja në mendje”. Ky vit që lam pas ishte edhe një sfidë psikologjike. Një luftë mendimesh dhe truri jonë sa vinte e rëndohej nga gjithçka që po ndodhte. Mbingarkesa u kthye në një sëmundje tjetër, prandaj urojmë përveçse një trupi të shëndetshëm edhe një mendje.

Vendin e pestë e zunë miqtë me një përqindje shumë të vogël 4%. Sigurisht që në ditë të vështira kemi nevojë edhe për miq, por parimisht janë familja dhe njerëzit e afërm.

Ndërsa në vend të fundit pa asnjë votë renditen “fëmijët” dhe “asgjë, i kam të gjitha”. Mesa duket ne jemi trembur aq shumë saqë fëmijët nuk janë dëshira e këtij viti.

Gjithashtu nuk e kemi më për terezi sa të themi se i kemi të gjitha dhe nuk na mungon asgjë. Ky vit që hodhëm pas krahëve do të bëhet një mësim. Një reflektim për të vlerësuar gjerat më elementare!