Sport

Sonte mbrëmja e futbollit: Superkupa e Italisë dhe gjysmëfinalja e Kupës së Spanjës!

Për herë të 34-rt, sonte luhet Superkupa e Italisë: Interi kërkon të hapë një cikël ndërsa Juventus, synon të dhjetën. Për dy ekipet që do të ndeshen në San Siro është hera e dytë në përballjen për Superkupën. E para daton vitin 2005 në Torino, pra 17 vjet më parë. Përtej pezullimeve dhe mungesave për shkak të lëndimeve, Juve duket se ka fatin në krah (ky është rasti i katërt në të cilin Superkupa e Italisë luhet në janar dhe në tre edicionet e mëparshme – 1996, 2019 e 2021 – bardhezinjtë e kanë ngritur gjithmonë trofeun). Po ashtu, ka në anën e tij traditën e favorshme duke qenë se ka mbetur i pamposhtur në 11 nga 12 ndeshjet e fundit, në të gjitha sfidat e luajtura kundër Interit.

Nga ana tjetër, zikaltrit (që e luajtën këtë finale për herë të fundit në vitin 2011 kur u mundën në Pekin nga Milani) mbërrijnë në ndeshjen e sotme me një rezultat mbresëlënës, tetë fitore radhazi në ligë, vetëm një nokaut (në Europë me Real-in) në 16 ndeshjet e fundit. Kjo edhe falë punës së Simone Inzaghi-t, i cili pas dy sukseseve të mëparshme, kërkon maksimumin në Superkupë, përballë rekordmenit të kompeticionit (për paraqitje, jo fitore) i cili është Max Allegri, ai që do të bëhet trajneri më i pranishëm në historinë e kësaj finaleje, duke mposhtur Lippin e ndalur në gjashtë. Inter-Juve nis të luhet në orën 21:00 dhe transmetohet në kanalin SuperSport 2.

Po ashtu, kjo e mërkurë sjell përmes ekranit të SuperSport 3, përballjen Barcelona-Real Madrid, në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës, që starton në orën 20:00 e do të zhvillohet në “King Fahd International Stadium” të Riadit, kryeqytetit të Arabisë Saudite. Kjo është një përballje e madhe ku dy gjigantët e futbollit spanjoll vijnë në pozita të ndryshme. Los Blancos kryesojnë bindshëm La Liga-n me 17 pikë më shumë se Blaugranat.