Aktualitet

Soreca: “Shqipëria pranë fillimit të negociatave të anëtarësimit në BE!”

Nga Korça, Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca tha sot se “Shqipëria ka bërë shumë progres dhe tani ndodhet pranë momentit për fillimin e negociatave të anëtarësimit”.

Bashkimi Europian nuk është i plotë nëse në të nuk do të jenë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye mendoj që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e BE-së jo vetëm nëpërmjet zhvillimit por dhe dëshirës së qytetarëve.

Soreca tha se Reforma në Drejtësi po krijon shumë Giovanni Falcone, ndërsa sot mbushen 29 vjet nga dita e vrasjes së gjyqtarit italian, i cili ia kushtoi përpjekjet e tij luftës kundër mafias siçiliane.

Për mua dita e sotme është mjaft e veçantë. Si sot 29 vjet më parë, në Itali u vra gjyqtari Giovanni Falcone. Ai ishte personi që e krijoi konceptin e ndjekjes së parasë. Ata vranë Falconen, por jo idetë e tij, parimet të cilat vazhdojnë dhe sot e kësaj dite. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe luftës kundër pastrimit të parave. A mjafton kjo? Sigurisht që jo, ende ka punë për të bërë, duhet të vazhdohet me konceptin e ndjekjes së parave! Do t’ia arrijmë!

Gjithashtu, diplomati europian u pyet lidhur me vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit që shpalli “non grata” Sali Berishën e familjarët e tij. Soreca shmangu komentet.

Nuk kam asnjë koment! Ky është një vendim i qeverisë së SHBA-ve, e respektojmë plotësisht, nuk kam një koment për të bërë për këtë!