Aktualitet

Sot 11-vjetori i ngjarjeve të 21 janarit/Homazhe për 4 protestuesit në Bulevard!

Sot në 11-vjetorin e ngjarjeve të 21 janarit 2011 kur u vranë 4 protestues para Kryeministrisë, kryeministri Rama ka postuar një mesazh në rrjetet sociale ku shkruan:

Me bindjen që drejtësia vonon po nuk harron, si edhe ndjesinë më në fund pozitive nga shenjat e dallueshme të veprimit të drejtësisë së re, nderojmë sot katër protestuesit paqësorë të 21 janarit, vrasja barbare e të cilëve kërkon drejtësi.

Kryeministri Rama dhe familjarët e 4 protestuesve zhvilluan homazhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Me lot në sy dhe karafila të kuq në duar, u përkulën për t’i vendosur lulet në pllakat përkujtimore, në Bulevard. Qershorin e kaluar, Prokuroria e Tiranës vendosi rifillimin e hetimeve për 21 janarin.

Të vrarët ishin pjesë e protestës të thirrur nga Partia Socialiste në kohën kur ishte në opozitë, ndërsa Partia Demokratike qeveriste me Lëvizjen Socialiste për Integrim, LSI. Protesta antikorrupsion mori shkas nga video-skandali Meta-Prifti. E regjistruar nga vetë ish-ministri i Ekonomisë në zyrën e tij, ajo video do të përbënte një akuzë të fortë publike për Metën, në atë kohë zv.kryeministër. Në bisedë përmendeshin përqindje apo shifra për 700 mijë euro që sipas Priftit i ishin ofruar në këmbim të nje licence hidrocentrali. Meta foli për shantazhe e në dy ditë dha dorëheqje.

Qetësia e protestës u prish shumë shpejt e pati përplasje me policinë ndërsa në oborrin e Kryeministrisë u rreshtua Garda dhe u përdorën armët e zjarrit. Kryesocialisti Rama akuzoi Berishën në atë kohë kryeministër, si “orkestrues politik të kasaphanës”, si edhe Lulzim Bashën, i cili ishte ministër i Brendshëm, si “njeriun që duhet të përgjigjet përpara ligjit për shpërdorim detyre me pasojë vrasjen e tre njerëzve”. Por, për Berishën, “Institucionet e këtij vendi, kurrë, nuk ka bandë as banditë, nuk ka puç as puçist, që do të mund t’i marrë ato”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot se “Sali Berisha urdhëroi të qëllohet me plumba mbi popullin që kishte dalë në protestën më të madhe kundër regjimit të tij korruptiv, duke u marrë jetën katër shqiptarëve të pafajshëm e plagosur dhjetra të tjerë”.

Hezitimi 11 vjeçar i prokurorisë për të marrë si fillim në pyetje dhe më pas nën akuzë atë që dha urdhërin të qëllohet mbi popullin, është turpi i drejtësisë. Për fat të keq edhe i drejtësisë së re, e cila po luan ping-pongun e vjetër me dosjen sipas tyre ende pa autor të dëshmorit Aleks Nika.

Katër viktimat u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” ndërsa hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin e Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg e gardistin Agim Llupo me tre vite.