Rajoni

Sot 17 Shkurti, 14 vjet nga Pavarësia e Kosovës/NEWBORN homazh grave!

Kosova kremton sot 14-vjetorin e pavarësisë, ndërsa Prishtina është stolisur pothuaj e tëra me flamujt shtetërorë. Këtë vit monumenti, NEWBORN i dedikohet gruas dhe u pagëzua me emrin “Gratë me krahë”. Kjo në nderim të atyre që janë të suksesshme në fusha të ndryshme si sport, muzikë, film e gjithashtu si një homazh për gratë e vajzat e vrara e të dhunuara nga familjarët, brenda mureve të shtëpive.

Për 17 Shkurtin janë planifikuar aktivitete të ndryshme, duke nisur me  ngritjen e flamurit në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, për të vijuar me parakaliminEWBORN e Forcave të Sigurisë dhe të Policisë. Tradita e përvitshme vazhdon me vizitat në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe te varri i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Po ashtu do të ketë një program të përbashkët artistik me shfaqje të ansambleve të valleve të Kosovës e Shqipërisë.

Në praninë e drejtuesve më të lartë shtetërorë: presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë, bënë ngritjen solemne të flamurit të Kosovës para selisë së Qeverisë.

Presidentja Osmani uroi të gjithë qytetarët e Kosovës:

Sakrifica për shtetin tonë ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Mbi 13 mijë civilë (të vrarë), prej të cilëve të paktën 133 fëmijë. Rreth 20 mijë gra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, shtëpi të shkatërruara e mbi 1 mijë e 600 të zhdukur, janë ende plagë të hapura të Republikës. Liria jonë do të jetë e plotë ditën kur të ketë drejtësi për të gjitha viktimat!

Osmani apeloi për unitet, për ta bërë Kosovën “shtet të suksesshëm”. Kryeministri Kurti tha se “krahas festës duhen përkujtuar edhe ata të cilët kanë punuar e luftuar për lirinë e popullit dhe pavarësinë e vendit”.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashme dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur. Në 14 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë financiare e sportive. Në mesin e tyre janë: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, UEFA e FIFA. Por, Kosova ende nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Europian, Këshillit të Europës apo Organizatës Botërore të Tregtisë.