Tech

Sot 19 vite nga themelimi i Facebook!

Sot bëhen 19 vjet nga themelimi i gjigandit teknologjik ‘Facebook’. Më 4 shkurt të vitit 2004, Facebook, u themelua nga Mark Zuckerberg me 4 shokët e tij të dhomës, Eduardo Saverin, Andrew Mccollum, Dustin Moskovitz dhe Chris Hughes, ndërkohë që studionin në Universitetin e Harvardit.

Kështu që nga 4 shkurti i 2004-ës ndryshoi rrënjësisht edhe mënyra e komunikimit në botë. Emri “Facebook” vjen nga një togfjalësh të një libri me të dhënash udhëzuese nga lëndët mësimore me të cilin pajisen studentët në disa universitete amerikane. Themeluesit fillimisht e kishin kufizuar anëtarësimin në Facebook vetëm për studentët e Harvardit, por më vonë e zgjeruan për universitetet Boston, Princeton, Yale, Stanford.

Gradualisht, Facebook u hap për studentët në kolegje e universitete të tjera, pastaj për nxënësit e shkollave të mesme dhe më në fund për të gjithë personat të moshës 13-vjeç e sipër. Në vitin 2012, Facebook u vlerësua si një kompani biznesi me vlerë prej 104 miliardë dollarësh.

Facebook ka njohur vetëm rritje si në të ardhura ashtu edhe në numrin e përdoruesve, ndërsa në vitet e fundit është përfshirë nga një skandal për shitjen e të dhënave personale të përdoruesve. Numri i njerëzve që përdorin Facebook në baza ditore u rrit në një mesatare prej dy miliardë në dhjetor. Kjo raportohet nga BBC, sipas të cilës kjo shifër i përket një të katërtës së popullsisë së botës.