Aktualitet

Sot 5-vjet nga Shenjtërimi i Nënë Terezës!

Më 5 shtator 2016, botës iu shtua një shenjtore, Nënë Tereza, sot Shenjta Terezë. Sot është dita e shenjtërimit të saj, ku në një ceremoni madhështore pesë vite më parë në Sheshin “Shën Pjetër” në Vatikan, Papa Françesku i njohu dy mrekulli të shërimit të të sëmurëve, pas vdekjes së saj më 1997.

Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, jam murgeshë katolike. Sipas profesionit tim, i përkas botës. Për nga zemra ime, i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e cila më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Mësimet e para i mori në një shkollë në qytetin e Shkupit e në moshën 18-vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e murgeshave “Misionaret e Bamirësisë”.

Nga ky moment Nënë Tereza do të bëhej nëna e të gjithëve dhe jetën do t’ia kushtonte të varfërve. Urdhëri i Nënë Terezës numëron mbi 4.000 misionare dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës. Nënë Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën e shprehej se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit.

Për të kryer misionin, udhëtonte me një automjet gjysmë të shkatërruar. Kur Papa Pavli VI kryente një vizitë në Indi në 1964 i dhuroi limuzinën e tij por ajo e shiti, për të siguruar fonde për koloninë e lebrozëve. Liderë nga e gjithë bota e kanë takuar. Ish-kryeministrja e Indisë, Indira Gandhi:

Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjën e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë e të fuqisë së dashurisë.

Nënë Tereza vazhdoi me vetmohim të predikonte mesazhin e dinjitetit njerëzor e respektit për çdo qenie të lindur apo jo. Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, shprehej:

Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret fëmijën që mban në barkun e saj, atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?

Nënë Tereza kishte shtëpinë e të afërmve në Tiranë. Një banesë dykatëshe, e rrethuar me kopësht e për më tepër se 17 vjet ishte streha e nënës, motrës e vëllait të saj.