Bota

Sot aneksimi i 4 rajoneve ukrainase nga Moska/Putin do të mbajë fjalim voluminoz!

Vladimir Putin përgatitet që sot të mbajë një fjalim të rëndësishëm, në një nga momentet më kritike në katër mandatet e tij si president i Rusisë. Fjalimi përkon me ditën e paralajmërimit të Kremlinit për aneksimin formal të katër rajoneve të Ukrainës, që pjesërisht janë të pushtuara nga forcat ruse. Nga data 23 e deri më 27 shtator, aty u mbajtën referendume për bashkimin me Rusinë e sipas Moskës, pjesëmarrja ishte tepër e lartë, por Perëndimi i dënoi si “false” e “të paligjshme”, në shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Ndërkohë, sot në të dytin fjalim të madh pas atij të 24 shkurtit 2022 kur i dha “dritën jeshile” pushtimit të Ukrainës, mbi 7 muaj më parë, Putin pritet të flasë gjatë, në ceremoninë e nënshkrimit të aneksimit, në Pallatin e Kremlinit. Të pranishëm do të jenë liderët pro-rusë të Khersonit, Luhanskut, Donjeckut e Zaporizhjas. Ata do të hedhin firmat për t’i bërë këto rajone, pjesë të Rusisë, të paktën në sytë e Moskës.

Abbas Gallyamov, ish-shkrues i fjalimeve të Putinit dhe këshilltar politik, që tani jeton jashtë Rusisë, shprehet:

Putin, ndoshta do të thotë që qëllimet e operacionit tonë janë arritur dhe ne i sugjerojmë palës tjetër që ta ndalë luftën. Dhe nëse ata vazhdojnë, ne do të përdorim armë bërthamore. Ja çfarë duhet të keni parasysh në fjalimin e tij.

Aneksimi

Që në maj të këtij viti, administrata kukull e Rusisë në rajonin jugor të Khersonit, njoftoi se synonte të kërkonte aneksimin dhe bashkimin me Moskën. Në atë kohë, lufta ishte në fazën e dytë, pasi forcat ukrainase penguan një përpjekje ruse për të pushtuar kryeqytetin, Kiev dhe komandantët rusë u tërhoqën duke i zhvendosur trupat në lindje për një ofensivë në Donbas. Pjesa më e madhe e Khersonit dhe një pjesë e rajonit fqinj, Zaporizhja ishin kapur e pushtuar nga trupat ruse.

Përpjekja e autoriteteve të Moskës për të kërkuar sovranitet mbi katër rajonet në rrethana shumë të dyshimta pasqyron kapjen e Krimesë. Në mars 2014, Rusia dërgoi ushtarë të paidentifikuar në gadishullin ukrainas, njerëz të armatosur morën nën kontroll zyrat e administratës rajonale dhe mediat e pavarura u mbyllën. Autoritetet më vonë mbajtën një votim që u hodh poshtë nga shumica e vendeve në mbarë botën dhe tani, Kremlini e konsideron Krimenë pjesë të Rusisë.

Në këtë rast, procesi është edhe më tendencioz: ndër të tjera, të ashtuquajturat referendume u mbajtën në mes të luftimeve të ashpra dhe forcat ruse kontrollojnë vetëm një nga katër rajonet, Luhanskun. Luftën, Moska ende e quan zyrtarisht një “operacion special ushtarak”.