Aktualitet

Sot betimi i Qeverisë “Rama 3” te Presidenti Meta!

Pas votimit në Kuvendin e Shqipërisë me 77 vota pro, sot kryeministri Edi Rama dhe ministrat do të betohen te Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Në përbërje të kabinetit qeveritar janë 12 gra.

Detajet e ceremonisë së betimit në presidencë të “Rama 3”:

Mes Presidencës dhe kabinetit të Kryeministrit është dakordësuar që ceremonia të zhvillohet paraditen e sotme, ora 10:00.

Fillimisht, kryeministri Edi Rama do të hedhë firmën i pari mbi dekretin për të drejtuar Qeverinë. Më pas 16 ministrat, 12 prej të cilëve gra.

I gjithë kabineti i ri qeverisës do të shkojë si një grup i vetëm, duke ecur nga Kryeministria drejt Presidencës. Pas ceremonisë së betimit sipas traditës, Presidenca ka organizuar edhe një kokteil.

Pas përfundimit të ceremonisë, të gjithë anëtarët e qeverisë do t’i drejtohen selisë së Këshillit të Ministrave ku në ora 10:30 parashikohet mbledhja e parë e kabinetit “Rama 3”. Pritet me interes të shihet se cilat do jenë vendimet e para të Ekzekutivit të ri.

Presidenti Meta e dekretoi qeverinë “Rama 3”, më 14 shtator.

DEKRETI NGA ILIR META

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

PRESIDENTI

D E K R E T

PËR EMËRIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të neneve 93, 95 pika 1, 96, 97, 98, dhe 99 të Kushtetutës, pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të datës 25.04.2021, rezultati përfundimtar i të cilave është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes Vendimit nr. 21, datë 13.07.2021, të Komisionit Rregullator, me propozim të Kryeministrit nr. 4281 prot., datë 11.09.2021, si dhe pas administrimit të informacionit prej organeve ligjzbatuese për verifikimin e kandidatëve të propozuar si anëtarë të Këshillit të Ministrave,

D e k r e t o j:
Neni 1
Emërimin e Këshillit të Ministrave me këtë përbërje:
1) Zoti Edi Rama- Kryeministër;
2) Zoti Arben Ahmetaj – Zëvendëskryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave;
3) Zonja Olta Xhaçka – Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
4) Zoti Niko Peleshi – Ministër i Mbrojtjes;5) Zoti Bledar Çuçi – Ministër i Brendshëm;
6) Zonja Delina Ibrahimaj- Ministër i Financave dhe Ekonomisë;
7) Zonja Belinda Balluku – Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
8) Zonja Evis Kushi – Ministër i Arsimit dhe Sportit;
9) Zoti Ulsi Manja – Ministër i Drejtësisë;
10) Zonja Elva Margariti – Ministër i Kulturës;
11) Zonja Frida Krifca – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
12) Zonja Ogerta Manastirliu – Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
13) Zonja Mirela Kumbaro Furxhi – Ministër i Turizmit dhe Mjedisit;
14) Zonja Elisa Spiropali – Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;
15) Zonja Edona Bilali – Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes;
16) Zonja Bora Muzhaqi – Ministër i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët;
17) Zonja Milva Ekonomi – Ministër i Shtetit për Standardet e Shërbimeve.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 13213

Tiranë, më 14.09.2021

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

Në përfundim të një seance maratonë, “Rama 3” mori dje votëbesimin e Kuvendit, me 77 vota pro e 53 kundër.