Lifestyle

Sot “Blue Monday”, si lindi dhe dyshimet për ditën më të trishtë të vitit!

Sot është dita më e trishtë e vitit, që në nivel ndërkombëtar njihet si “Blue Monday” e përkon me të hënën e tretë të janarit, kësaj here, më 17 janar. Gjithçka nisi në vitin 2005 nga një përllogaritje matematikore e doktor Cliff Arnall. Psikologu i Universitetit të Cardiff-it, kryqëzoi disa variabla ku përfshiu ndikimin e motit, ndjenjat e fajit për paratë e shpenzuara në festat e fundvitit dhe rënien e motivimit pas tyre.

Megjithatë, disa shkencëtarë e hedhin poshtë formulën e Arnall-it, që nuk ka baza shkencore. Arsyet?

Në një artikull të publikuar te “The Guardian” në vitin 2012, neurologu Dean Burnett argumentonte se “formula e Arnall-it është qesharake”.

Variablat janë arbitrarë, të pamundur për t’u matur e në pjesën më të madhe, nuk përputhen mes tyre. Për më shumë, përllogaritjet e Arnall-it, dalin nga një bashkëpunim me kompaninë e udhëtimeve “Sky Travel”, që e ka përdorur formulën për një fushatë publicitare.

Por, pavarësisht dyshimeve që prej vitesh e rrethojnë, duam apo nuk duam ta pranojmë, “Blue Monday” është shndërruar në traditë, aq sa në të hënën e tretë të janarit të çdo viti, hashtagu qarkullon në rrjetet sociale e në faqe të ndryshme, ekspertët nxitojnë të japin këshilla, për ta përballuar me sa më shumë pozitivitet.