Aktualitet

Sot dhe nesër, ditët më të nxehta të javës/Të premten priten shira në vend!

Vazhdon dominimi i të nxehtit në vendin tonë, me vapë përvëluese e temperatura të larta që sot luhaten në vlerat nga 16 deri në 41 gradë celcius, sipas të dhënave të shërbimit MeteoAlb. Deri në orët e mesditës, territori shqiptar do të jetë nën mbizotërimin e kthjellimeve në pothuajse të gjithë territorin shqiptar. Më pas, priten vranësira në zonat malore e të ulëta, por që nuk sjellin reshje shiu. Ndërkohë, bregdeti do të vijojë të jetë nën mbizotërimin e kthjellimeve. Era fryn e lehtë, me shpejtësi mbi 35 km/h nga drejtimi veriperëndimor, duke krijuar dallgëzim deri në 2 ballë, në brigjet detare.

Edhe nesër, na pret një tjetër ditë e nxehtë, ndërsa jemi në mesin e sezonit veror. Parashikimet meteorologjike e përshkruajnë të martën e 5 korrikut si nën ndikimin e kthjellimeve në Ultësirën Perëndimore dhe gjithashtu, kalimeve të pakta të vranësirave, në zonat malore. Por, orët vijuese sjellin kalime vranësirash në të gjithë territorin ku në zonat malore, këto vranësira do të pësojnë edhe zhvillime të përkohëshme, duke u shoqëruar me reshje shiu në rajonet veriore. Ndërsa temperaturat do të luhaten në vlerat 17 deri në 41 gradë celcius, era do të fryjë e lehtë, me shpejtësi 30 km/h nga drejtimi verior-veriperëndimor, duke krijuar në brigjet detare dallgëzim të ulët.

Ndërsa e hëna dhe e marta veçohen si ditët më të nxehta të javës që sapo nisi, në pjesën e dytë të saj, Anticikloni Afrikan fillon të tërhiqet gradualisht, teksa pritet edhe rënie e lehtë e graduale e temperaturave. Sa i përket qëndrueshmërisë së kushteve atmosferike, përjashtim bën vetëm e premtja e 8 korrikut. Parashikimet janë që reshje shiu të përfshijnë pjesën më të madhe të territorit me intensitet të ulët deri mesatar në formën e shtrëngatave dhe të herëpashershme. Lokalisht reshjet do të jenë në formën e rrebesheve dhe të stuhive, shoqëruar me breshër e me shkarkesa elektrike.