Sport

Sot dita e derbit Partizani-Tirana!

Sot është e shtuna e derbit, me Partizanin dhe Tiranën që përplasen për herë të fundit këtë sezon. Takimi luhet në stadiumin “Elbasan Arena”, detaj që padyshim penalizon tifozët, por jo rivalitetin me armiqtë e përjetshëm që projektohen në një 90-minutësh plot emocione.
Tirana kërkon një fitore për të zyrtarizuar më në fund titullin kampion, prishja e festës nga Teuta trazoi ujërat bardheblu me Xhixhën që u ndëshkua në finale duke humbur përballjen me të kuqtë. Nuk do të jenë as Najdovski, po për shkak kartonësh dhe Dejvid i dëmtuar. Pas dy shtyrjesh radhazi ndaj Laçit dhe Teutës, në kampin e Orges Shehit kryqëzojnë gishtat që kjo të jetë e treta e vërteta.

Me Laçin që luan më pas, iu duhet një fitore për të festuar titullin në fytyrën e rivalëve të përjetshëm, por edhe për ta mbyllur këtë sezon dominues kundër Partizanit. Për ta realizuar, shërben motivimi ekstra i derbit me skuadrën që vjen pas dy humbjesh dhe një barazimi, seri që nuk kishte ndodhur kurrë më parë këtë sezon dhe trajnerin Shehi, i cili ka akuzuar për mungesën e përqendrimit.

Akoma më i madh motivimi te Partizani, pasi kanë shansin për t’iu shtyrë festën rivalëve të mëdhenj, për të mos lejuar që ky sezon të mbyllet pa asnjë sukses ndaj Tiranës e padyshim edhe për të blinduar zonën Europiane. Partizani ka bërë një parakalim thuajse të pamendueshëm në fillim të këtij viti e aktualisht ndodhet në vendin e tretë.

Formacioni i Dritan Mehmetit vjen me frymën e duhur, pas një fitoreje personaliteti në stadiumin e Kukësit, skuadra funksionon, sulmi vjen pas 5 golash në dy ndeshjet e fundit dhe tani shikon përpara shansin për një revansh ndaj Tiranës. Padyshim që për ta ky është momenti për të ngrohur zemrat e tifozerisë, kur “Një fitore në derbi vlen sa një titull kampion!”. Eldorjan Hamiti do të gjykojë derbin Partizani-Tirana.