Aktualitet Politikë

“Sot dita kur Europa dhe bota të njihen me të vërtetat e Shqipërisë”, Berisha: Ky samit, mbështetje për shqiptarët dhe PD

Nga podium i protestës, Sali Berisha tha se sot është dita kur Europa dhe bota të njihen me të vërtetat e Shqipërisë.

Ai theksoi se samiti që mbahet sot në Tiranë, është një mbështetje e madhe për shqiptarët dhe PD, dhe se demokratët, mund të pranojnë që ky samit të konsiderohet si një mbështetje për Edi Ramën dhe qeverinë e tij, si më të korruptuarat në planet.

”Nga ky shesh, në Shqipëri dhe kudo që jeni, përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen më të pakufishme. Së pari, në emrin tuaj, më lejoni t’ju uroj me gjithë zemrën, mirëseardhjen në Tiranë, shtetarëve më të lartë të vendeve anëtare të BE. Për ne, është një rast shumë i veçantë, që t’u shprehim atyre, vendeve të tyre mirënjohjen më të pakufishme për ndihmën e gjithanshme që i jepni shqiptarëve. Prania e qeveritarëve më të lartë të BE është mbështetja më e madhe që vlerat evropiane në Shqipëri kanë marrë në vendin tonë.

Ky samit është një mbështetje e madhe për shqiptarët dhe PD-në, forcën politike që në betejë për vlerat evropiane, me moton: E duam Shqipërinë si Europa, përmbysi diktaturën komuniste.
Tre dekada më parë, ne nisëm rrugën e demokracisë si kombi i tretë më i varfër i planetit. Sot nga ajo kohë, të ardhurat janë rritur së paku 25 herë. Bujaria e kombeve dhe vendeve tuaja, ka qenë e një rëndësie thelbësore në këtë arritje, ndaj dhe ne u mbetemi borxhli përjetë ju dhe taksapaguesve tuaj.

Të gjithë shqiptarët, të gjithë ne sa jemi këtu, shqiptarët sado që janë ju jemi mirënjohës me nderin e madh që i bëni Shqipërisë. Por njëkohësisht ne jemi fatkeqë sepse ne përfaqësohemi në këtë samit, me njeriun, që me të gjitha kodet e botës, duhet të ishte sot para drejtësisë, jo i ulur sot aty me ju. Ne ndjehemi fatkeqë sepse pushteti i atij që na përfaqëson, qëndron mbi krimin elektoral, votën e vjedhur, korrupsionin dhe drogën dhe të zezat e këtij vendi. Sot është dita kur Europa dhe bota mund të njihen me të vërtetat e Shqipërisë.

Ndaj siç e kërkon tradita jonë, miqve do u themi të vërtetën. Ne jemi këtu në një protestë, me qëllimin më madhor, që sot të jehojë para liderëve, medieve, edhe zëri i popullit të opozitës shqiptare. Ne nuk mund të pranojmë që ky samit të konsiderohet si një mbështetje për Edi Ramën dhe qeverinë e tij, si më të korruptuarat në planet.” u shpreh Berisha.