Aktualitet

Sot hapet Kardhiq-Delvinë, shkurton kohën e udhëtimit nga Tirana në Sarandë!

Rruga e re Kardhiq-Delvinë, e cila shkurton kohën e udhëtimit drejt Sarandës me 45 minuta, është gati. Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro shkruan:

Udhëtimi nga Gjirokastra në Delvinë, e përtej në Sarandë me rrugën e re që nga sot do të jetë e hapur për gjithë qytetarët duke e sjellë bregun fare afër.

Pjesë e këtij aksi është dhe tuneli i Skërficës. Me një gjatësi prej 33 km, përfundimi i Kardhiq-Delvinë shkurton kohën e udhëtimit, duke i dhënë një hov të mëtejshëm zhvillimit shumëdimensional të zonës e vendit.

Por, opozita nuk e ka fshehur shqetësimin rreth kostove. Në një postim të pak javëve më parë, deputetja demokrate Jorida Tabaku shkruante:

A duhet  të normalizojmë korrupsionin? Në shqip, fjala e urtë popullore “I kushtoi sa frëngu pulën” do të mund të kuptohej nën shembullin e rrugës Kardhiq-Delvinë që nisi me një parashikim në buxhetin afatmesëm me vlerë 5.2 mld lekë dhe që më pas shkoi në 6.7 mld lekë. Kjo rrugë ka dhe një nga historitë më domethënëse se si paratë e taksave të shqiptarëve keqpërdoren vazhdimisht për t’u ofruar herë pas here shqiptarëve një copëz tuneli si një arritje e madhe. Rruga ka nisur që në vitin 2018 dhe është thuajse 35 km e gjatë, me logjikë duhet të kishte përfunduar me kohë.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka vlerësuar punën e bërë duke shtuar se ndërtimi i këtij segmenti rrugor, jo vetëm shkurton distancën drejt bregdetit dhe rrit sigurinë rrugore, por gjithashtu i jep një zhvillim akoma më të madh turizmit, si për zonën e Sarandës ashtu edhe atë të Gjirokastrës.

Me të vërtetë ecuria e punimeve të infrastrukturës është e mirë. Të gjitha projektet që kemi nisur po dorëzohen njëra pas tjetrës. Projektet që kanë nisur rishtazi po ecin ashtu siç duhet, por nuk duhet harruar që sot kostot e këtyre ndërtimeve kanë kapërcyer në shifra që nuk kanë qenë të parashikuara dhe kjo s’ka lidhje vetëm me Shqipërinë, por ka lidhje me mbarë botën duke nisur nga elementi më i rëndësishëm, lënda e parë më e rëndësishme që është ajo e hekurit dhe pastaj tek çimento e gjithçka tjetër që ne angazhojmë si material përsa i përket ndërtimit të veprave infrastrukturore. Por nuk duhen harruar dhe kostot shtesë sa i përket karburantit apo gjithçka tjetër.