Aktualitet Politikë

Sot Konventa e LSI-së, Ilir Meta në rikthehet në drejtimin e partisë!

Lëvizja Socialiste për Integrim mban sot Konventën Kombëtare, të cilës do t’i bashkohet edhe Ilir Meta, pasi një ditë më parë mbylli mandatin presidencial. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari tha se e sotmja do të jetë “ditë pikënisjeje për ridimensionimin e partisë”, ndërsa rolin e Metës e cilësoi “nevojë të domosdoshme që opozita të sjellë ndryshimin”. Në Kosovë ishte e fundit vizitë zyrtare e tij si numri një i shtetit.

Në një ceremoni rreth 20 minutëshe në Presidencë, dje Ilir Meta i kaloi detyrën pasardhësit Bajram Begaj, i zgjedhur nga Kuvendi muajin e kaluar e tani është edhe zyrtarisht presidenti i ri i Republikes së Shqipërisë. Në mënyrë simbolike, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj, i dorëzoi Kushtetutën dhe ceremonia u shoqërua me 21 të shtëna topi.

Presidenti i ri deklaroi se angazhimi i marrë në betim është udhërrëfyesi i tij i vetëm dhe se nuk do të tolerojë askënd që vendos interesat personale përballë atyre të kombit.

Përmes unitetit, vendi do të shkojë përpara. E njoh dhe e respektoj punën e qeverisë, por nuk justifikohet asnjë dështim. Mbështes dhe e respektoj opozitën, por të mos shihet konflikti përpara bashkëpunimit e të mos lutet dështimi përpara gjetjes së zgjidhjeve.

Presidenti Begaj shtoi se “siguria kombëtare do të ketë vëmendje të madhe gjatë mandatit të tij presidencial”.

Siguria dhe paqja nuk dhurohen, ato sigurohen. Faktorët e rrezikut kanë ndryshuar. Çështja e sigurisë kombëtare do të ketë vëmendje të madhe gjatë mandatit tim. Të ndryshojmë strategjinë kombëtare! Eshtë përgjegjësi për të gjithë ne.

Për Partinë Demokratike, “betimi i presidentit shënon momentin e instalimit të monizmit të plotë në vend”.

Edi Rama dhe partia e tij shtet, tashmë kontrollojnë mbi 99% të pushteteve në Shqipëri. Ata kanë të përqendruar në duart e tyre 11% pushtet më shumë nga sa kontrollonte në vitin 1991 Ramiz Alia, diktatori i fundit komunist i Shqipërisë.