Aktualitet

Sot Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike!

7 mijë e 500 delegatë janë thirrur për të marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike për të diskutuar mbi analizën e humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit. Në të, gishti i akuzës drejtohet nga Maxhoranca dhe shmangen faktorët e brendshëm. Gjithashtu, delegatët janë ftuar të miratojnë propozimet e kryetarit Basha për ndryshimet në statut që nuk sollën asnjë risi në mandatin e numrit një të Selisë Blu.

Peshën kryesore në Kuvendin Kombëtar të PD-së do ta mbajë Basha, i cili pritet të përcjellë mesazhin kryesor politik për rrugën ku do të ecë subjekti që drejton në 4 vitet e ardhshme në opozitë.

Pas tij në podium pritet të marrin fjalën 19 drejtues politik që udhëhoqën fushatën e Partisë Demokratike më 25 prill. Pjesa me e madhe e punimeve do t’i dedikohet zgjedhjes së 300 anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, mandati i të cilit u ndërpre para kohe.

Nuk janë përjashtuar kritikë të Bashës, si Edith Harxhi e Fatbardh Kadilli që i kishte përballë edhe si rivalë në garën për kryetar më 13 qershor. Gjithashtu as Arben Ristani ndërsa Bujar Nishani pritet të largohet nga drejtimi i Këshillit por për shkak të funksionit si ish-President i Republikës, automatikisht është pjesë e tij si anëtar i thjeshtë.

Zgjedhja e Këshillit i hap rrugë asaj të Kryesisë, nënkryetarëve e Sekretarit të Përgjithshëm.