Aktualitet Politikë

Sot mbledhja e Kryesisë së PS-së, zyrtarizim i kandidatëve për 14 Majin!

Sot, Partia Socialiste zyrtarizon kandidatët për zgjedhjet vendore të 14 Majit. Mësohet se Qarku Tiranë nuk do të ketë ndryshime, duke i dhënë shansin për rikandidim pesë kryebashkiakëve aktualë. Ndërkaq, vazhdon shqyrtimi për emrat në disa bashki, mes tyre të Himarës, Divjakës e Kuçovës. Edhe dy ditë e përfundon afati zyrtar i depozitimit të listave të kandidatëve për kryebashkiakë apo anëtarë këshillash për vendoret e 14 Majit. Ashtu siç u paralajmërua në mbledhjen e kaluar të Kryesisë, këtë të shtunë socialistët do të caktojnë një listë përfundimtare për emrat që do të garojnë në votimet lokale.

Për Bashkinë e Bulqizës ende nuk ka informacion. I arrestuar më 16 mars, kryebashkiaku Lefter Alla u shkarkua nga kryeministri Rama, për shkelje të rënda.

VENDIM PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË KRYETARIT TË BASHKISË BULQIZË, Z. LEFTER ALLA

Në mbështetje të neneve 100 e 115, pika 1, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 62, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Shkarkimin nga detyra, për shkak të shkeljeve të rënda, të kryetarit të Bashkisë Bulqizë, z. Lefter Alla.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Policia e Shtetit ekzekutoi masën e sigurisë së caktuar më 14 mars nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO.

Pas arrestimit, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK bëri të ditur se kryebashkiaku Alla së bashku me të tjerë zyrtarë nën hetim, vartës të tij në institucionin që drejtonte kanë konsumuan veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Po ashtu, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, funksionari ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Ndër të tjera, sipas të njëjtit njoftim zyrtar, sqarohej se kryebashkiaku Lefter Alla kishte kryer shkelje gjatë procedurës së prokurimit publik. Kjo për ndërtimin e rrjetit të furnizimit e rrjetit shpërndarës të Ujësjellësit në Bulqizë, tender ky që kapi vlerën e mbi 322 milion lekëve. Alla i quajti “politike” akuzat.