Sport

Sot miqësorja me Spanjën, Reja: “Dua paraqitje shumë të mirë!”

Në Stadiumin RDCE të Barcelonës, sonte në orën 19:45, Shqipëria luan miqësoren ndaj Spanjës. Para ndeshjes, trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja vlerësoi forcën e kundërshtarit dhe u shpreh se “kuqezinjtë i kanë cilësitë për t’i surprizuar kundërshtarët” dhe shtoi se “skuadra duhet të qëndrojë kompakte për të arritur një rezultat të mirë”.

I pyetur nëse vlen loja apo rezultati, Reja u shpreh:

Nuk mund të ndahen dot, dua që të dal me një paraqitje shumë të mirë. Të mos përsërisim më paraqitje si ajo me Anglinë dhe Francën më parë. Do të më pëlqente të jemi kompetitiv përtej rezultatit që ka një rëndësi relative sepse është një ndeshje miqësore. Do të më pëlqente të bënim një ndeshje të mirë sepse siҫ kam thënë këto janë eksperienca që do na shërbejnë sepse luajmë kundër një skuadre të madhe. Do të shikojmë se në çfarë niveli kemi arritur. Kam ndjesinë që po përmirësohemi sa më shumë kohë kalojmë bashkë dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë!

Duhet të luajmë si skuadër! Duhet të jemi shumë kompakt, shumë të mbyllur dhe mos i japim hapësirë atyre për të pasur pasime filtruese. Nëse i lejojmë hapësira, me cilësitë që kanë, mund të na vendosin në vështirësi të mëdha. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të përqendruar për 90 minuta. Nuk di kush do të luajë.

Në konferencën zyrtare për shtyp përpara ndeshjes, foli edhe kapiteni Elseid Hysaj:

Eshtë një ndeshje shumë e bukur për të gjithë, çdo lojtar dëshiron të jetë në fushë. Për ne është një karikim shumë i madh sepse kemi përballë një skuadër të madhe si Spanja. Do japim maksimumin dhe shpresojmë që të marrim një rezultat pozitiv që do na ndihmojë për të ardhmen tonë!

Për mbrojtjen do të jetë një test i madh, sepse Spanja është një skuadër e madhe që bën lojë të shpejtë, mbajnë mirë topin. Me të vërtetë jemi shumë mirë, të kënaqur që jemi prapë bashkë dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin!