Sport

Sot ndeshja vendimtare me Hungarinë, synim bileta për në Katar!

Me Hungarinë, Shqipëria luan sonte në orën 20:45 në “Puscas Arena”, ndeshje vendimtare në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Nga dje, lojtarët e Kombëtares së Futbollit po qëndrojnë në Budapest, për përballjen në sfidën e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës. Kuqezinjtë pozicionohen në vendin e dytë pas 6 ndeshjeve, duke grumbulluar 12 pikë e synojnë të konfirmohen në këtë pozitë deri në fund të eliminatoreve, për të mbajtur gjallë ëndrrën për një biletë për në Katar.

Nuk ka dyshime, në portë me Etrit Berishën që fiton sërish balotazhin me Strakoshën e do të zbresë nga minuta e parë me shiritin e kapitenit në krah. Para tij rikonfirmohet treshja Ismajli-Kumbulla-Gjimshiti. Në mesfushë, nga krahët do të luajnë Elseid Hysaj në të djathtë e Lorenc Trashi në të majtë. Në qendër, i përhershmi Gjasula, këtë herë i shoqëruar nga Keidi Bare dhe Endri Çekiçi. Në sulm konfirmohet Sokol Cikalleshi, përkrah Myrto Uzunit. Mungesa e vetme do të jetë e Bekim Balajt për shkak dëmtimi. Trajneri Reja mund të rrijë i qetë, pasi edhe në pankinë do të ketë emra si Bajrami, Manaj, Broja e Balliu.

Ndërkaq, më 12 tetor, në Stadiumin “Air Albania”, Shqipëria do të presë Poloninë, momentalisht, rivalen direkt për vendin e dytë.