Aktualitet

Sot një vit nga vdekja e Klodian Rashës, i riu që frymëzoi protesta anti-dhunë

Sot shënohet një vjetori i vrasjes së Klodian Rashës nga ish efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj. Në këtë ditë babai i tij në një deklaratë për media theksoi  që askujt të mos i ndodhë një tragjedi e tillë.

Ai kujtoi rrjedhën e ngjarjes duke akuzuar se për të mbuluar krimin u munduan të përbaltin figurën e djalit të tij.

“Lus zotin që të tilla tragjedi të mos ekzistojnë në asnjë vend të botës, mua më plagosi shpirtin, mua më ndau zemrën, kjo ka qenë arsyeja që ditën e parë që iu kam kërkuar që këtë lloj plage të mos e imagjinojë askush.

Të tilla tragjedi të mos ketë asnjë familje asnjë qenie njerëzore. Dua të shpreh mirënjohje për secilin që ka shprehur interes për familjen time. Besoj se nuk ka specie në botë që të imagjinojë që në 2020 një nënë një baba, aq më tepër një malësor si puna ime, të luajë apo të imagjinojë të shesë apo të blejë gjakun e fëmijës së vetë.

Ky nuk është faji im është faji i asaj qenie që mund t’i shkojë ndërmend. Në shtëpinë time kam pritur e kam përcjellë numër të madh njerëzish, jam mirënjohës për secilin, qoftë qytetarë apo pushtetarë.

Shteti e ka për detyrë atë që se ka bërë deri tani ndoshta ta bëjë. Më esencialja që kërkoj është zbardhjen e inkriminimit që persona të caktuar apo segmente të caktuar u munduan që fëmijën ta përbaltin ta inkriminojnë dhe të arrijnë deri aty sa të vënë armën që fëmija të bëhet kriminel. Sot është momenti që ia kërkoj shtetit që përbaltjen e djalit vendosjen e armës bën mirë që shteti ta gjejë personin sa unë nuk kam vendosur ta gjej vetë. Tragjedi e plagë të tilla lus zotin të mos i ndodhë askujt”, tha ai.

Rreth orës 01:45 të datës 8 dhjetor 2020, në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë, një patrullë policie përpiqet të ndalojë një të ri 25 vjeçar, pasi po kryente veprime të dyshimta si dhe kishte shkelur Aktin Normativ për ndalimin e lëvizjes pas orës 22:00 për shkak të pandemisë së COVID-19.

I riu, Klodian Rasha, nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe u largua me vrap. Polcia u vu në ndjekje të tij dhe më pas në një moment oficeri i policisë Nevaldo Hajdaraj e qëlloi të riun me dy plumba, një në shpatull dhe një në kokë, duke e plagosur rëndë. Klodiani më pas ndërroi jetë në spital.

Sipas oficerit të policisë, Klodiani i drejtoi policisë një send të fortë, në dukje armë dhe në mungesë të ndriçimit të mjaftueshëm, ai e qëlloi. Disa orë më vonë, rreth 100 m larg vendit të ngjarjes, policia gjeti një armë, për të cilën dyshoi se i përkiste viktimës.

Hetimet dhe akuzat penale

Oficeri i policisë që qëlloi mbi viktimën, u arrestua dhe u akuzua nga SHÇBA (Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat) për Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme. Sipas SHÇBA, u dyshua se efektivi i policisë nuk kishte zbatuar procedurat standarde për përdorimin e armëve të zjarrit.

Reagimet

Vrasja e 25 vjeçarit shkaktoi reagime të shumta në Shqipëri. Sipas xhaxhait të viktimës, Klodiani nuk kishte armë dhe se ai kishte vetëm dy hurma me vete, ndërsa babai i Klodianit kërkoi që drejtësia të vihej në vend.Gjithashtu pati reagime nga politikanë dhe figura të tjera publike që dënuan vrasjen e Klodian Rashës.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u shpreh se ngjarja duhej të zbardhej sa më shpejt. Protesta kundër policisë dhe qeverisë u zhvilluan në Tiranë dhe Shkodër. Më 9 dhjetor 2020 në orët e mbrëmjes u zhvillua një protestë e dhunshme përpara godinës së Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministrit Sander Lleshaj si dhe drejtësi për Klodianin. Gjatë protestës, protestuesit qëlluan godinat qeveritare me gurë dhe sende të tjera të forta si dhe dogjën dhe shkatërruan një bredh Krishtlindjesh pranë Kryeministrisë dhe një bredh tjetër ne sheshin “Skënderbej”. Gjithsej tetë oficerë policie u lënduan gjatë përplasjeve fizike me protestuesit. Në fund, protesta u shpërnda nga policia me anë të gazit lotsjellës.