Aktualitet Sport

Sot Partizani-Tirana në “Air Albania”, policia merr masa/Rrugët që bllokohen!

Sot në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania” luhet takimi Partizani-Tirana. Policia e kryeqytetit ka hartuar plan masash për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Rrugët e bllokuara

Segmentet rrugore që bllokohen nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit janë:

Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri te “Air Albania”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca te Sheshi “Nënë Tereza”.

Do të ketë bllokim të pjesshëm të rrugëkalimeve të tifozëve:

Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet nga kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Gjergj Filipi” – stadiumi;

Lëvizja e tifozëve të Tiranës do të bëhet nga Sheshi “Skënderbej”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Bajram Curri”, Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima” – Stadiumi.

Policia do të garantojë e sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk lejon grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit.

Po në zbatim të planit të masave do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën 16 vjeç, pa praninë e prindit apo kujdestarit (shoqëruar me dokument).

Tifozët të kenë me vete dokument identifikimi, pasi në të kundërt nuk do të lejohet hyrja në ambientet e stadiumit.

Gjithashtu, nuk lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si problematikë.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura, në oraret e caktuara.