Politikë

Sot priten emrat e rinj të 300 anëtarëve të Këshillit Kombëtar në PD

Sot, një ditë pasi Partia Demokratike zhvilloi në Pallatin e Kongreseve Kuvendin Kombëtar pritet të bëhen publike emrat e 300 anëtarëve të Këshillit Kombëtar, institucionit më të rëndësishëm drejtues të Partisë Demokratike, i cili më pas do të zgjedhë ekipin e ngushtë të Bashës për 4 vitet në vijim.

Mbrëmë ishte Kryetari i Komisionit Zgjedhor brenda PD, Jemin Gjana, i cili tha se në votime morën pjesë gati 70% e delegatëve. Sipas Statutit nga 300 emra që do të publikohen sot, minimalisht 90 do të jenë gra dhe vaja dhe 45 anëtarë e forumit rinor të PD. Delegatët e Kuvendit Kombëtar të PD zgjodhën mes 600 propozimeve të kryedemokratit, ndërsa në mbledhjen e parë të tij, Këshilli do të zgjedhë drejtuesin e ri që do të zëvendësojë Bujar Nishanin, i cili dje mungoi në Pallatin e Kongreseve.

Prej ditës së djeshme, edhe statuti i PD pëson ndryshime. 11 propozimet e Lulzim Bashës u miratuan në bllok pa asnjë ndryshim nga Kuvendi Kombëtar.

Në fjalën e tij kreu i PD-së bëri thirrje për bashkim ndërkohë që e gjitha fjala e tij ishte e bazuar në mesazhin e asaj që ai e konsideron si masakra elektorale e 25 prillit.

Edhe pse shumica e fjalimeve ishte ‘besnike’ të Bashës, disa prej tyre ishin vërtet kritikë. Zëri më kritik ishte deputeti i zgjedhur në Lezhë, Mark Marku i cili theksoi se PD-ja duhet të ndryshojë, pasi në të kundërtën rrezikon që të mbetet në opozitë edhe për 4 vitet e ardhshme. Edhe drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, Bujar Leskaj mori përgjegjësinë e mosarritjes së rezultatit maksimal në qarkun e tij, por në analizën e tij tha se ka pasur kandidatë që kanë bërë fushatë individuale që ndikuan negativisht. Edhe Fatbardh Kadilli, ish-rival i Bashës në garën për kryetar, mbajti një fjalë me tone kritikuese.

Një nga kritikët më të ashpër të Bashës, Bujar Nishani zgjodhi ta bojkotonte këtë Kuvend Kombëtar, njëjtë edhe Agron Shehaj. Ky i fundit, ishte i pranishëm në sallën e Pallatit të Kongreseve, por refuzoi të merrte fjalën. Por edhe këtë herë Basha zgjodhi t’i injoronte, duke u larguar më herët nga punimet e Kuvendit Kombëtar duke zgjedhur të mos i dëgjonte disa prej fjalimeve.