Aktualitet Politikë

Sot raundi i katërt për votimin e presidentit të ri! Gjeneral Bajram Begaj kandidatura e PS-së për kreun e shtetit

Në Kuvend do të votohet sot si president i 8 i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, aktualisht shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë. Begaj ishte propozim i Partisë Socialiste dhe nëse zgjidhet, do të jetë presidenti i tetë pas pluralizmit, ndërsa i treti që vjen me karrierë ushtarake, pasi më herët e kanë mbajtur postin e kreut të shteti ish ushtarakë, si Alfrd Moisiu dhe Bujar Nishani.

Emrin e tij e bëri publik kryetari i PS-së dhe kryeministri Edi Rama. Rama e cilësoi atë si “shëmbëlltyra e atij normaliteti, qytetarie dhe sensi të shërbimit ndaj vendit dhe njerëzve të këtij vendi për të cilin ajo zyra ka nevojë urgjente”, duke ju referuar presidentit aktual Ilir Meta, me të cilin mazhoranca ka pasur përplasje të vazhdueshme.

Përpara se të bëhej publik emri i kandidatit të propozuar nga Partia Socialiste, opozita sërish u shfaq e ndarë. Kryetari i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj deklaroi se nuk do të marrin pjesë në seancë, për të mos legjitimuar kapjen nga ana e shumicës dhe të institucionit të presidentit. Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha, bëri të ditur se ai dhe deputetë që e mbështesin, do të jenë në sallë për të votuar kundër.

Po para se të shkojë në Kuvend, emri i Begajt do t’i dërgohet paraprakisht Grupit Parlamentar të PS, që do të mblidhet paraditen e së sotme rreth orës 10:00 dhe nga ku do të mblidhen dhe firmat e nevojshme. Duhen të paktën firmat e 20 deputetëve për mbështetjen e një kandidati për President të Republikës, që më pas do të depozitohen zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë.

Afati maksimal i përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve është ora 12:00 e 4 qershorit, ndërsa më pas, në orën 16:00 do të mblidhet komisioni i ligjeve, që do të shqyrtojë kriteret ligjore kushtetuese të kandidatit të propozuar nga PS.

Më pas në orën 18:00 kuvendi do të zhvillojë raundin e katërt të votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri, teksa Partia Socialiste ka paralajmëruar se do t’i japin vendit Kreun e ri të Shtetit. Partia Socialiste i disponon votat për zgjedhur e vetme Presidentin e ri, pasi sipas Kushtetutës, në raundin e katërt dhe të pestë, ai mund të zgjidhet me 71 vota.

Presidenti aktual Ilir Meta është zgjedhur nga Kuvendi më 29 prill 2017, ndërsa mandati i tij përfundon më 24 korrik.