Aktualitet Politikë

Sot rimblidhet Kuvendi, kryeministri Rama do të prezantojë programin qeverisës!

Kuvendi i Shqipërisë rimblidhet në orën 17:00, në të tretën seancë të kësaj Legjislature të X-të, nën drejtimin e kryetares Lindita Nikolla. Kryeministri Edi Rama pritet të prezantojë programin qeverisës si edhe emrat e kabinetit të ri “Rama 3”, ndonëse kjo nuk është përfshirë në rend dite.

Pas miratimit në Parlament, Kryeministri i dërgon Presidentit emrat e ministrave për dekretim dhe kreu i shtetit duhet të shprehet brenda 7 ditëve.

Një ditë më parë, Ilir Meta i dërgoi shkresë Prokurorisë së Përgjithshme ku i kërkon informacion për ministrat e propozuar, nëse janë në procese gjyqësore apo në fazë vlerësimi për t’u nisur hetime ndaj tyre.

Në shkresën drejtuar organit të akuzës thuhet:

Presidenti Meta, kërkon të informohet mbi të dhëna apo informacione për çdo kandidat të propozuar, lidhur me procese hetimore apo penale ndaj tyre.

Ndër të tjera kërkohet që përgjigjet të kthehen sa më shpejt, që Presidenti të shprehet për emërimet brenda 7 ditëve. Prokuroria e Përgjithshme nisi punën për verifikimin e ministrave, pas shkresës së dërguar nga Presidenti i Republikës. Organi qendror i akuzës u nisi kërkesë të gjitha organeve të hetimit në vend, për të marrë informacion për secilin nga ministrat që ka propozuar kryeministri Rama.

Kur dokumentat të jenë gati, Prokuroria e Përgjithshme do t’i përgjigjet kërkesës së Presidentit.
Ndërkohë, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme anti-Korrupsion, Arben Kraja u shpreh për Top Channel se iu përcoll e njëjta kërkesë e presidentit për informacione mbi emrat e propozuar për ministra. Kraja tha se po e shqyrtojnë me përparësi. Sa i përket dhënies së informacionit nëse ka apo jo çështje ndaj tyre, ai deklaroi se: “është në kompetencë të SPAK-ut se cila do të jetë përgjigjja”.

Pas marrjes së këtyre informacioneve, Meta duhet të dekretojë Qeverinë e më pas, dekretet e miratuara kalohen sërish në Kuvend, brenda 10 ditësh. Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat do të betohen para Presidentit, të cilin e shkarkuan pak muaj më parë.

Gjithashtu, sot zgjidhen strukturat e reja të Parlamentit. Rendi i ditës përcakton miratimin e përbërjes së 8 komisioneve të përhershme: 5 drejtohen nga maxhoranca e 3 nga Partia Demokratike, si dhe do të ngrihen Byroja e Kuvendit e sekretariatet.

Po sot, 60 minuta para seancës plenare, mblidhet grupi socialist nën drejtimin e Taulant Ballës e po ashtu, edhe ai parlamentar demokrat në orën 16:00 ku çështja e nxehtë mbetet ajo Berisha. Më 9 shtator, kryetari i PD-së, Basha shpalli vendimin për ta përjashtuar nga grupi me kërkesë të SHBA-ve. Për Berishën, “Ky vendim është nul”.

Deputeti Agron Gjekmarkaj tha sot se nuk kishte mundësi tjetër.

Sali Berisha është personalitet i madh politik, beteja për statut që mund të bëjë ai, nuk janë beteja për të, pasi janë të një kalibri të vogël.