Aktualitet

Sot samiti i NATO-s në Bruksel, merr pjesë edhe Kryeministri Rama!

Në Bruksel sot zhvillohet samiti i nivelit të lartë të NATO-s me pjesëmarrjen edhe të Kryeministrit Rama, krahas Presidentit Amerikan, Biden. Po në kryeqendrën europiane, Rama dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi mbi Përparësitë e Përbashkëta, përfshirë angazhimin për të përdorur vetëm ofruesit e pajisjeve të besuara për rrjetet 4G dhe 5G të teknologjisë.

Rama deklaroi se “Për Shqipërinë është përherë krenari që të jetë në krah të Amerikës!”.

Për mua e për ne në Shqipëri është moment shumë i rëndësishëm sepse, siç besoj ju e dini, kemi ndërmarrë këtë nismë nga ana jonë që prej disa vitesh e duke i kërkuar edhe të tjerëve, vendeve në rajon që të bëhen pjesë e që të gjithë bashkë të bëjmë përpjekje për një korridor të sigurtë komunikimi e për ta vënë këtë korridor komunikimi të shërbimeve shumë kritike në duart e qytetarëve të Shqipërisë, institucioneve shqiptare, forcave të sigurisë e të mos lejojmë që të komprometohet nga aktorë të tretë që nganjëherë janë aktorë dashakeqë.

Sekretari i Shtetit Blinken:

Mendoj se jemi duke dhënë një shembull shumë të fortë, veçanërisht mbi nevojën për t’u siguruar që kur bëhet fjalë për teknologjinë dhe rrjetet më të ndjeshme që kemi, të punojmë me palë të besueshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani dhe mendoj se është mesazh i fuqishëm për t’u dërguar. Në një aspekt më të gjerë, unë jam vërtet mirënjohës për punën që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë qenë në gjendje të bëjnë së bashku në shumë fusha të ndryshme, përfshirë Stërvitjen “Defender 21” që e realizuam me kaq sukses. Presim me padurim që të merrni vendin tuaj në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara! Kemi shumë punë të mira për të bërë edhe atje e në të gjitha aspektet. Ky partneritet po bëhet më i fortë e më i thellë dhe ne e vlerësojmë shumë lidershipin tuaj për ta bërë këtë!

Prej kohësh, Uashingtoni po punon për “rrjet të pastër”, për t’u mbrojtur nga kërcënimi i privatësisë së të dhënave dhe për të ruajtur pronësinë intelektuale e sigurinë kombëtare. Krahas vendit tonë, memorandume bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara për rrjetin 5G të teknologjisë, gjithashtu kanë nënshkruar Maqedonia e Veriut e Kosova.

Ndërkaq, sot në Bruksel në kuadër të Samitit të NATO-s po pritet me interes takimi i presidentëve të Amerikës e Turqisë. Analistët po ndjekin nga afër ato që priten të jenë bisedime të tensionuara Biden-Erdogan. Kohët e fundit kanë shkëmbyer retorika të ashpra ndërsa Biden e quajti Erdoganin “autokrat” gjatë fushatës presidenciale. Muajin e kaluar, presidenti turk akuzoi shefin e Shtëpisë së Bardhë se i ka “duart e përgjakura”, referuar mbështetjes së tij për Izraelin në konfliktin e Gazës.