Aktualitet

Sot testi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë për mbi 33 mijë maturantë!

Mbi 33 mijë maturantë, sot do t’i nënshtrohen provimit të dytë të Maturës Shtetërore, atij të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Testi nis në orën 10:00 e mbyllet në 12:30, me një kohëzgjatje prej dy orësh e gjysmë. Përpara se të hyjnë në provim, nxënësit duhet të paraqiten në qendrën e testimit 90 minuta përpara, duke patur me vete dokument identifikues, si dhe mjetet shkollore të nevojshme.

Në disa shkolla janë vendosur bllokues valësh, në mënyrë që të shmanget kopja me telefon, si dhe ka detektorë në hyrje për të zbuluar çdo aparat që mund të tentojnë të fusin nxënësit.

Më 9 qershor, maturantët dhanë provimin e Gjuhës së Huaj, ndërsa të premten e ardhshme më 17 qershor është i Matematikës dhe më 24, provimi i Lëndës me Zgjedhje.

Në total, testi i Maturës do të ketë 60 pikë, 20 prej tyre për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë, ato me zhvillim. Sa i përket vështirësisë, 40% të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, 40% niveli i dytë dhe 20%, bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë, të cilët duan të arrijnë rezultate maksimale.

Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25% të pikëve të testit. Sa i përket përgjigjes së provimeve, afati për të dalë është deri më 30 qershor, në mënyrë që të gjithë ata nxënës që duan të studiojnë jashtë vendit të kenë kohë për plotësimin e dokumenteve.