Aktualitet

Sot vendimi për Saimir Tahirin, SPAK kërkon 12 vite burg!

Apeli i GJKKO-së, Gjykatës së Posaçme do të vendosë sot për fatin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Vendimi pritet të jepet rreth orës 13:00, ndërsa në seancën e kaluar, të datës 31 janar, SPAK-u kërkoi 12 vite burg për Tahirin e po ashtu për Jaeld Çelën, ish-drejtor i Policisë së Vlorës. Në rast se GJKKO-ja pranon kërkesën e SPAK-ut, Tahiri përfundon në qeli, në të kundërt do të mbetet në fuqi dënimi aktual “Për shpërdorim detyre”, ose fiton pafajësinë.

Me një vendim të datës 28 shtator, Gjykata e Lartë ktheu për rigjykim çështjen me trupë të re drejtuese. Në këtë mënyrë i dha ish-ministrit Tahiri fitore procedurale kur vendosi prishjen e vendimit të 26 qershorit 2020 të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër po të Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Në shtator të 2019-ës, Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda me 5 vjet burg “Për shpërdorim detyre”, dënim i pezulluar nga gjykata për t’u konvertuar në 3 vite shërbim prove. Ndërkohë, në kuadër të dosjes “Habilaj” u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda: “Trafikim i lëndëve narkotike” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Dënimin me 3 vite shërbim prove e prishi Apeli i Posaçëm duke e kthyer për rigjykim në Shkallën e Parë. Më pas, ish-ministri bëri rekurs dhe Dhoma e Këshillimit e Gjykatës së Lartë pranoi për ta gjykuar. Më 31 janar, Prokuroria e Posaçme kërkoi 12 vite heqje lirie për Saimir Tahirin.

Në seancë, prokurorët e SPAK-ut këmbëngulën për deklarimin e tij fajtor, për akuza që e lidhin me trafikun e drogës dhe grup të strukturuar kriminal. Por, duke qenë se gjykimi u bë me procedurë të shkurtuar, i kërkuan të ulet edhe 1/3-ta e dënimit, për një përfundimtar prej 8 vitesh burg. I njëjti dënim u kërkua edhe për Jaeld Çelën.