Politikë

Sot zbulohet emri i Presidentit të ri? Mblidhet Kryesia e PS, kryesocialisti Rama u kërkon anëtarëve të fikin telefonat

Partia Socialiste ka mbledhur sot kryesinë, ku po diskuton për zgjedhjen e kandidatit për presidentin e ri të vendit. Sot pritet që të mësohet emri i kandidatit që Partia Socialiste do të çojë në Kuvend, i cili me shumë mundësi do të jetë Presidenti i ri i vendit, ndërsa në mbledhja ka mbërritur edhe kryeminsitri Edi Rama, i cili kthye sot nga SHBA.

Për t’u treguar hermetik deri në fund për emrin e kandidatit të ri të shtetit, kryesocialisti Rama iu ka kërkuar anëtarëve të kryesisë socialiste që në nisje të mbledhjes që të fikin telefonat.

Burime bëjnë me dije, se në mënyrë që mos të rrjedhin informacione për emrin, socialistët kanë dorëzuar telefonat e tyre në sekretari.

Mediat kanë raportuar më parë se bëhet fjalë për një listë me 10 emra që do të diskutohen sot në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste. Deri tani janë përmendur si emra në media Ardian Dvorani, Majlinda Bregu, Gramoz Ruçi, Fatos Nano por ende nga Partia Socialiste nuk ka asnjë konfirmim.

Kryeministri Rama ka përjashtuar të gjithë anëtarët e grupit parlamentar socialist.

Ndërsa nga Fieri sot, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla nuk ka preferuar të flasë për emra konkretë sa i përket propozimeve për kreun e ri të shtetit, por theksoi se PS ka një listë përfundimtare.

Ai u pyet nëse Gramoz Ruçi, Majlinda Bregu apo Fatos Nano janë emra të mundshëm, por nuk pranoi të jepte një qëndrim, duke thënë se gjithçka do të diskutohet. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri tha se opozita e humbi shansin për të propozuar kandidatë.