Aktualitet Politikë

Sot zgjedhjet për kryetar të PD-së/Sali Berisha dhe Ibsen Elezi në garë!

Sot zgjidhet kryetari i Partisë Demokratike, në një garë mes ish-liderit Sali Berisha, i cili pas 9 vitesh, synon rikthimin në krye të Selisë Blu dhe rivalit Ibsen Elezi, ish-numri një i PD-së Kukës. Procesi që nisi në orën 08:00 të mëngjesit, organizohet nga Komisioni i Rithemelimit. Në të gjithë vendin janë 108 qendra votimi ku demokratët u thirrën të shprehin vullnetin me votë, deri pasdite në orën 18:00.

Sipas Rithemelimit, anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike do të mund të hedhin votën në njërën prej dy qendrave të votimit në Selinë Blu ose edhe në degët ku janë të deleguar, pasi të kenë njoftuar pranë Komisionit.

Kujtojmë se me herët, Ibsen Elezi kërkoi shtyrjen e procesit të zgjedhjeve për kryetarin e Partisë Demokratike. Elezi, i cili më 7 maj depozitoi dokumentet pranë Komisionit Operacional Zgjedhor të PD-së, kandidoi edhe në zgjedhjet e qershorit 2021 për kreun e PD-së, por kandidatura e tij u skualifikua, me vendim Kryesie.

Atëherë u tha se “me komentet e tij, tentoi të denigrojë e të dëmtojë Partinë Demokratike”. Kësaj here, ish-drejtuesi i demokratëve të Kukësit foli për “një sërë shkeljesh statutore e ligjore në procesin zgjedhor”, ndaj bëri kërkesë për shtyrje. Sipas Ibsen Elezit, “në Partinë Demokratike, “nuk u zbatua asnjë nga elementët e primares e debatit”, si dhe shtoi se “pati defekte të rënda me listat e votuesve”.

Data 22 maj u caktua nga Kuvendi i 30 prillit si dita kur do të zhvilloheshin votimet për kryetarin e ri të partisë. Ndërkaq, këto zgjedhje janë kontestuar nga pjesa tjetër e Partisë Demokratike. Pak kohë më parë, Gjykata e Apelit Tiranë pranoi ankimin e kreut të Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj, për mosnjohjen e statutit të dalë nga Kuvendi i 11 Dhjetorit 2021, i thirrur nga Berisha.

Ai Kuvend, shpalli “të paligjshëm” çdo vendim të PD-së së drejtuar nga Lulzim Basha, i cili dha dorëheqjen në mars të këtij viti, por bëri të ditur se do të vazhdonte të ishte pjesë e partisë.