Aktualitet

SPAK dërgon për gjykim 12 persona, pjesë e dy grupeve kriminale!

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të dy grupeve kriminale. Sipas njoftimit të SPAK, dy grupet kriminale dyshohet se vidhnin objekte luksi dhe bizhu në Francë dhe i transportonin pa doganë në Shqipëri për t’i shitur.

SPAK njofton se grupi i parë, përbëhet nga të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Florian Baku, personat e proceduar nga autoritetet franceze të drejtësisë Sokol Briant (alias Brahimi, alias Balili), Dritan Ulqinaku, etj.

Grupi i dytë, përbëhet nga të pandehurit Sokol, Elda, Egi Idrizaj, dhe bashkëpunëtorët e tyre të proceduar nga autoritetet franceze, të cilët kanë ushtruar veprimtarinë e paligjshme kriminale nëpërmjet transportimit të shumave monetare të padeklaruara nga Shqipëria-Francë, dhe blerjes së produkteve të luksit nga firmat më prestigjioze po në Francë. Blerje të cilat janë realizuar si me para në dorë, ashtu dhe nëpërmjet kartave bankare (të hapura në emrin e tyre si dhe të lidhjeve të tyre shoqërore). Këto produkte janë transportuar nga të pandehurat Elda dhe Egi Idrizaj, nga të pandehurit Dejvi Skënderaj dhe Bora Idrizaj, si dhe nga kompanitë e transportit “Erdisa Tours”, “Altini Travel” dhe “Tani Tours”, të cilat janë futur kontrabandë në Shqipëri.

Gjatë kontrolleve të ushtruar në territorin shqiptar, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

59.100 euro; 10 000 USD kanadez; 57 ora dore (Hamilton, Omega, Rolex, Baume & 7Mercier, Cartier, Breitling, Hublot Geneve, Edifice); 1 (një) aparat fotografik; 9 laptopë; 7 I-Pad; 3 tablet; 28 aparate celularë; 2 kompjutera; 33 copë bizhu dhe 2 monedha ari; 1 stilolaps Cartier; 2 Stilografë; sasi e konsiderueshme syze dielli të markave të ndryshme (DG; Louis Vuitton; Ray Ban; Giorgio Armani; Versace); sasi e konsiderueshme parfume dhe kremrash (Versace Dylon Blue, Dolce Gabbana, Hermes, Avon Glamour, Asabi, Channel Blue, Armani “Si”, Louis Vuitton); karta të ndryshme bankare; veshje të markave të ndryshme (Dior, Christian Louboutin, Christian Dior, Hermes, Moncleir, Balenciaga); çanta apo këpucë të firmave prestigjoze etj.

SPAK njofton se “janë proceduar nga autoritetet franceze të drejtësisë 13 persona, dhe gjatë kontrolleve të ushtruara nga këto autoritete janë sekuestruar: sasia 305,000 Euro (230,000 Euro në kartëmonedha, dhe pjesa tjetër në llogaritë e personave të proceduar); 115 copë bizhu të ndryshme; 50 orë dore të markave të ndryshme luksoze etj”.

Ky hetim është realizuar në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, të krijuar në muajin qershor 2022, midis Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Lionit Francë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se, një strukturë kriminale ishte krijuar në rajonin e Lionit-Francë, e cila në bashkëpunim me një grup kriminal nga Shqipëria, koordinonte aktivitete të ndryshme të paligjshme, dhe fitimet e realizuara i dërgonte në Shqipëri. Veprimtaria kriminale e tyre kamuflohej pas aktivitetit të disa agjencive të udhëtimeve, me objekt veprimtarie në transportin e udhëtarëve dhe mallrave nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas.

Lista e të pandehurve:

Agustin MESULI dhe Altin DODA, të akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal. “Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë bankare”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Kontrabanda me mallra të tjerë”; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.

Florian BAKU, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.

Sokol IDRIZAJ, Elda IDRIZAJ dhe Egi IDRIZAJ, të akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Kontrabanda me mallra të tjerë”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Fshehja e të ardhurave”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.

Dejvi SKËNDERAJ, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Kontrabanda me mallra të tjerë”, kryer në bashkëpunim; “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”; “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”; “Fshehja e të ardhurave”.

Bora IDRIZAJ, e akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Kontrabanda me mallra të tjerë”, kryer në bashkëpunim”; “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”.

Vangjush KASHARA dhe Tomor BARUTI, të akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë bankare”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar; “Fshehja e të ardhurave”; “Grupi i strukturuar kriminal”,  dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi, i strukturuar kriminal”.

Gentian AGA dhe Alid SHEHI, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”.