Aktualitet

SPAK, hetim Metës në SHBA! Dërgon letër porosi për lëvizjet financiare të dosjes së lobimeve!

Në kuadër të hetimit të nisur ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK kërkon të dhëna nga departamenti FARA, ku janë regjistruar kompanitë e lobimit në Ministrinë e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Top Channel mësoi se SPAK ka hartuar disa pyetje, tashmë të kthyera në një letër porosi nga Ministria e Drejtësisë. Burime nga ky dikaster pohuan se dokumenti është përkthyer e nisur përmes postës diplomatike në SHBA. Përmes kësaj letër porosie, SPAK-u synon të marrë informacion për pagesat e bëra nga Lëvizja Socialiste për Integrim për lobim në Shtetet e Bashkuara.

SPAK-u vuri nën hetim ish-presidentin Meta, pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri, i cili pretendon se për llogari të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë shpenzuar 700 mijë dollarë për qëllime lobimi, por të padeklaruara.

Dërgimi i letër porosisë në Amerikë vjen pas disa veprimeve hetimore në Shqipëri, të tilla si kërkesa dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të patur një kopje të formularit të dekriminalizimit të Ilir Metës. Po ashtu, edhe të dhënat e certifikatës familjare të Metës.
Në javët në vazhdim, ish-presidenti që tani drejton Partinë e Lirisë, me të gjitha gjasat do të thirret të dëshmojë në SPAK, bashkë me Petrit Vasilin i cili drejtonte LSI-në në kohën kur ka ndodhur ky lobim i pretenduar i padeklaruar.

Për këtë lobim, fillimisht shkruajti revista amerikane “Mother Jones”. Ndërsa më 16 maj, gazeta austriake “Kronen Zeitung” publikoi një artikull ku thuhej se “për të siguruar një foto në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump-it, Ilir Meta pagoi 700 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë”. Vetë Ilir Meta hodhi poshtë akuzat për një lobim të tillë e premtoi dorëzimin e një padie për shpifje ndaj gazetës austriake./ Top Channel