Aktualitet

SPAK kërkon konfiskimin e apartamentit të ish-kryetarit të Kushtetueses, Bashkim Dedja!

SPAK kërkon konfiskim të apartamentit të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Apartamenti i tij në Golem ishte sekuestruar nga GJKKO rreth një vit më parë. Ndërkohë, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese u shkarkua nga vetting-u për mosdeklarim e fshehje pasurie.

Një muaj më parë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja është marrë i pandehur nga GJKKO. Pas hetimeve të SPAK rezultoi se ka bërë mosdeklarim e fshehje pasurie. GJKKO pranoi kërkesën për ta gjykuar Dedjan pas më shumë se dy vite hetime.

Bashkim Dedja, akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rreme dhe të fshehjes, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 10 maj 2022, kaloi për gjykim dosjen ndaj ish-kryetarit të Kushtetueses Bashkim Dedja, i cili do të gjykohet për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë.