Aktualitet

SPAK nuk i ndahet Fatmir Mediut, apelon vendimin për mos ta rihetuar!

Në Apelin e GJKKO-së, SPAK ankimoi vendimin për të mos hapur hetimin ndaj Fatmir Mediut lidhur me rolin e tij në shpërthimet e 15 marsit 2008 në Gërdec ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.

Më 27 korrik, Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e SPAK-ut, me argumentin se Prokuroria pati të gjitha mundësitë që ta hetonte lirisht ish-Ministrin e Mbrojtjes pasi prej 2012-ës nuk kishte imunitet dhe vepra është parashkruar.

Gjykata çmon që të evidentojë se edhe pse Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në të dy vendimet e tij ka theksuar se të drejtën për të kërkuar autorizimin për procedim sipas ligjit e ka vetëm prokurori, nga tërësia e akteve procedurale dhe e provave që ndodhen në dosjen gjyqësore, konstatohet se që prej datës 14.09.2009 (data e shpalljes së vendimit të pushimit nga Gjykata e Lartë) e në vazhdim, organi i akuzës nuk i kërkoi përsëri Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj ish-deputetit Fatmir Mediu, mungesa e të cilit nuk lejonte vazhdimin e procedimit penal.

Gjithashtu, Gjykata çmon që të evidentojë se edhe pse kuadri kushtetues dhe ligjor përcakton se deputeti nuk gëzon imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij konstatohet se prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se 8 vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale megjithëse tashmë nuk ishte më e nevojshme që të kërkohej të jepej autorizimi nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Pra, nga vitit 2012 deri më datë 1 Gusht 2017 kur hynë në fuqi ndryshimet e K.Pr.Penale me Ligjin Nr. 35/2017, prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerrte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale apo të kërkonte rishikim të vendimit.

Përpara vendimit, prindërit e Edison Durdajt, fëmijës 7-vjeçar që humbi jetën në Gërdec iu drejtuan me një letër Gjykatës së Posaçme, ku i kërkonin pranimin e kërkesës së SPAK-ut.

Feruzan e Zamira Durdaj shkruanin se “dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe që i hapin rrugë gjykimit”.

Më herët këtë vit, në muajin shkurt, ata iu drejtuan organeve të drejtësisë së re për të rifilluar ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut.