Aktualitet

SPAK superaksion anti-korrupsion në Lushnje, pranga kryebashkiakut Tushe!

Katër ditë nga superoperacioni antidrogë i koduar “Shpirti”, SPAK ndërmori sot një tjetër aksion masiv antikorrupsion me 11 të ndaluar, mes tyre kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe e drejtori i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnje, Flamur Peqini, i cili më parë ka qenë në krye të Inspektoriatit të Ndërtimit. Të tjerët, 7 vartës të Tushes e 2 biznesmenë janë: Xhemal Hasko, Blerta Turuku, Ani Simoni, Andri Musho, Margarita Gjermeni, Bujar Murati, Ibrahim Lami, Gazment Çela e Bektash Nexha. Me përjashtim të Gjermenit, Mushos e Simonit në “Arrest shtëpie”, për të tjerët u dha masa e sigurisë “Arrest në burg”.

Xhemal Hasko

Blerta Turuku

Ani Simoni

Andri Musho

Margarita Gjermeni

Bujar Murati administrator i kompanisë Euro Alb shpk

Ibrahim Lami administrator i kompanisë Loti shpk

Gazment Çela

Bektash Nexha

Që të 11-të dyshohen se kanë abuzuar me fonde publike lidhur me tenderin për rehabilitimin e kanalit ujitës, me vlerë 24 milionë lekë. Investimi do të kryhej në fshatin Bitaj e Euro Alb ishte e vetmja në garë. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale: “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shkelja barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Mësohet se paratë e tenderave iu kalonin kompanive private, në mënyrë fiktive. Gjithashtu, në këtë hetim pati përgjime e vëzhgime, kontrolle të financave dhe transaksione të zyrtarëve.

Për operacionin e SPAK-ut në Lushnje reagoi kryeministri Rama, i cili i kujton të zgjedhurve se “flamuri i PS-së s’mund të bëhet mbulesë e askujt për fajet vetjake”.

Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve.

Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak.

Ndërkaq, nuk mungoi as reagimi i Ambasadores Amerikane, Yuri Kim:

Nëse jeni të përfshirë në korrupsion, pa marrë parasysh sa të fuqishëm mendoni se jeni, tani është koha të konsideroni ndikimin që veprimet tuaja do të kenë në familjen dhe vendin tuaj! Tani është koha të shqyrtojmë nëse ia vlen të shkosh në burg! Tani është koha për të ndaluar! Askush nuk është mbi ligjin!

Reagoi edhe kreu demokrat Basha!

Arrestimi i Fatos Tushës pas denoncimeve shumëvjeçare nga PD të bashkëpunimit të tij korruptiv me krimin e organizuar, mund të jetë fillim i mbarë! Por kjo do të varet nga aftësia, kurajoja dhe pavarësia e drejtësisë për të goditur lidhjet e pushtetit me krimin, lidhjet e Hakmarrjes për Drejtësi me Tushën, Braçen e vetë Ramën dhe përfitimet e tyre të ndërsjellta në vite të gjata bashkëpunimi!