Sport

Spanja fiton me goleadë ndaj Kosta Rikës, shkëlqen 18 vjeçari Gavi!

Spanja fitoi 7-0 ndeshjen ndaj Kosta Rikës, duke e nisur në mënyrën më të mirë të mundshme rrugëtimin në Botërorin e Katarit. Djemtë e Luis Enriques u argëtuan, krijuan shumë raste për gol, dominuan kundërshtarët në çdo aspekt, shënuan shtatë gola dhe siguruan lehtësisht tri pikët e para në grupin E.

Marco Asensio ishte surpriza e trajnerit Luis Enrique, i cili i besoi 26-vjeçarit të Realit majën e sulmit. Pedri mori kontrollin e lojës dhe nisi të dhuronte pasime fantastike për shokët e ekipit, teksa Kosta Rika rezistoi vetëm 11 minuta, me Dani Olmon që zhbllokoi takimin (asist i Gavit)

Spanja realizoi edhe dy gola të tjerë në 20 minutat e ardhshme me Asension dhe Ferran Torres (penallti). Sulmuesi i Barcelonës shënoi golin e dytë personal në minutën e 54’, më pas pati festë dhe rekord për Gavin. 18-vjeçari i talentuar, realizoi një gol të bukur në debutimin e tij në një Kupë Bote, duke u kthyer në spanjollin më të ri që shënon në Botëror, dhe lojtarin e tretë më të ri në histori.

Në minutat e fundit erdhën edhe golat e Charles Soler dhe Alvaro Moratës, lojtarë të ardhur nga pankina, të cilët vulosën triumfin e thellë të Spanjës, që rikthehet në fushë të dielën (27 nëntor) në një finale të parakohshme ndaj Gjermanisë.