Bota Food & Drink

Spanja në luftë politike për…

Në Spanjë, konsumi i mishit përplas anëtarët e qeverisë!

“Sherri” mori shkas nga fushata e Ministrit për Çështjet e Konsumatorëve, Alberto Garzón për të nxitur spanjollët të konsumojnë më pak mish. Garzón beson se konsumi i tepruar i tij dëmton shëndetin dhe planetin.

Por kolegët nuk janë dakord!

Në intervistën për një radio lokale, Ministri i Bujqësisë, Luis Planas e cilëson “të gabuar” fushatën: “Më pak mish, më shumë jetëgjatësi!”.

Planas e konsideron “të padrejtë” kundrejt industrisë së mishit që në Spanjë është mes kontribuesve kryesorë të ekonomisë. Pas vetes ka 6 kompani prodhuese që akuzojnë Garzónin se po godet një sektor që numëron 2.5 milionë vende pune dhe fitimet nga eksporti, i llogarit në rreth 9 miliardë euro.

Lufta ka nisur dhe Ministri për Çështjet e Konsumatorëve nuk e la me kaq! Ai shkoi në Televizionin Shtetëror për të mbrojtur fushatën e qartësuar mesazhin.

Ideja nuk është të ndalohet plotësisht konsumi i mishit por që njerëzit të ndjekin udhëzimet e ekspertëve që rekomandojnë ngrënien e një sasie nga 200 deri në 500 gramë në javë kur aktualisht spanjollët konsumojnë mesatarisht më shumë se 1 kilogram.

Organizata Botërore e Shëndetësisë këshillon njerëzit të kufizojnë konsumin e mishit të kuq e të përpunuar pasi rritet rreziku i sëmundjeve të zemrës, diabetit e sjell të tjera shqetësimeve për shëndetin. Po ashtu, gazrat e çliruar nga industria e mishit kanë lidhje me ndryshimet e klimës.

Por mishi mbetet produkt kryesor në mbarë botën për arsye ekonomike, kulturore e personale.

Pjesë e debatit është bërë edhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, i cili zgjodhi të qëndrojë në anën e mishngrënësve. Sanchez nuk bën kompromis kur vjen puna të biftekët.

Të konsumosh apo jo biftekë, kjo është çështja në Spanjë, madje çështje e rëndësishme, jo shaka dhe që po nxjerr më në pah dallimet mes partive politike të koalicionit qeverisës.

Planas i përket radhëve të socialistëve të Sanchezit. Ata gëzojnë mbështetje të fortë në zona rurale e mes votuesve që i përkasin klasës punëtore. Ndërkaq, Garzón vjen nga krahu i majtë, Unidas Podemos që mbështetet nga të rinjtë e votuesit në rajonet urbane.