Rajoni

Spanja rithekson qëndrimin kundër Kosovës!

Nga Beogradi ku nga dje ndodhet për vizitë dy-ditore, kryeministri Pedro Sanchez theksoi se “Spanja mbështet Serbinë për çështjen e Kosovës”. Ndërkohë e përjashtoi Kosovën nga një tur ndalesash në Ballkanin Perëndimor. Siç dihet, Spanja është mes pesë vendeve të Bashkimit Europian që refuzojnë të njohin pavarësinë e saj. Gjatë një konference me presidentin serb Vuçiç, u shpreh:

Spanjën dhe Serbinë i lidh nevoja për të respektuar të drejtën ndërkombëtare, sovranitetin dhe integritetin territorial të të dy vendeve. Spanja do të jetë gjithmonë me Serbinë, në respektimin e këtyre parimeve. Spanja do të jetë gjithmonë me ju dhe keni mbështetjen tonë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Marrëdhëniet politike janë fantastike. Edhe ato ekonomike e tregtare duhet të arrijnë të njëjtin nivel.

Po ashtu, biseduan për luftën në Ukrainë e pasojat e saj në Europë, duke bërë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të konfliktit dhe vendosjen e paqes në Ukrainë. Beogradi zyrtar refuzon t’i bashkohet sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë.

Vuçiç i shprehu mirënjohje për mbështetjen:

Serbia i është mirënjohëse Spanjës për mbështetjen e vazhdueshme dhe pa kushte në procesin e anëtarësimit në BE. Serbia e konsideron Spanjën, mike të madhe.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë tha se me kryeministrin spanjoll, diskutuan edhe për pozicionin serb në rajon e për nismën Ballkani i Hapur, që përveç Serbisë, përfshin edhe Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Vizitën në Beograd, Sanchez e përfundon sot, me një takim me kryetarin e Kuvendit, Ivica Daçiç. Deri më 1 gusht, shefi i qeverisë së Madridit do të vizitojë edhe Sarajevën e Mostarin në Bosnjë, Podgoricën në Mal të Zi, Shkupin në Maqedoninë e Veriut dhe vendin tonë, duke u ndalur në Tiranë. Sanchez po viziton rajonin, me qëllim “ringjalljen e procesit të zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor”.