Film & Tv

Spanjollët nuk pyesin për polemikat, të vendosur të vlerësojnë Johnny Depp me Çmimin e Karrierës!

Shumë polemika e kundërshti për Johnny Depp. Pasi humbi gjyqin për shpifje me tabloidin britanik The Sun që e përshkroi si dhunues të grave, u zëvendësua nga Mads Mikkelsen te “Kafshët fantastike” dhe MGM i zhduku filmin e ri “Minamata”, për aktorin e njohur amerikan kanë menduar spanjollët.

Pas më shumë se një muaji, më 22 shtator, në edicionin e 69-të të Festivalit të Filmit San Sebastian, Depp do të vlerësohet me Çmimin e Karrierës, si një prej aktorëve më të talentuar të kinemasë bashkëkohore.

Në të kaluarën, Donostia Award ka shkuar për emra të rëndësishëm si Anthony Hopkins, Meryl Streep, Penelope Cruz e Viggo Mortensen. Tani, radhën e ka Johnny Depp por vendimi i organizatorëve ka ngjallur kritika nga shoqata spanjolle e kineasteve. Ato e kanë një arsye, aktori akuzohet nga Amber Heard, një ish-modele, aktore dhe ish-bashkëshortja e tij, për abuzim e dhunë.

Presidentja e kineasteve spanjolle, Cristina Andreu:

Kjo është në kundërshtim të plotë. Nuk është koha për t’i dhënë atij një çmim, të paktën deri tani, kur nuk dihet se çfarë ka ndodhur vërtet. Ai ende beson në prezumimin e pafajësisë.

Në përgjigje të kritikave nga kineastet, drejtori i Festivalit të Filmit San Sebastian, José Luis Rebordinos tha se “çmimi i jepet në bazë të filmografisë së këtij aktori të madh”.

Funksioni i një festivali e kinemasë nuk është të gjykojë sjelljen e anëtarëve të industrisë së filmit.