Bota

Spekulimet me shëndetin e presidentit Erdogan, hetime postimeve në Turqi!

Autoritetet turke nisën hetimin ndaj 30 personave, të akuzuar se në rrjetet sociale kanë postuar lajme të rreme për shëndetin e presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Këta persona kanë postuar “përmbajtje manipuluese” në Tëitter, duke përdorur hashtagun #olmous (i vdekur).

Hashtagu filloi të qarkullonte teksa spekulimet për shëndetin e Erdoganit janë në rritje. Bashkëpunëtorët e tij janë munduar t’i shuajnë, duke shpërndarë imazhe të aktiviteteve të kreut të shtetit. Por, duhet thënë se vijojnë prej vitesh. Politikanët rivalë, që kundërshtojnë qeverinë, vazhdimisht e kanë vënë në pikëpyetje shëndetin e Presidentit.

Në vitin 2011, 67-vjeçari iu nënshtrua një operacioni në zorrë, si dhe ka mohuar raportimet se vuan nga kanceri. Një ditë më parë, mori pjesë në disa aktivitete në kryeqytetin Ankara, për të shënuar 19-vjetorin e ardhjes në pushtet të subjektit të tij konservator, Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, (AKP). Mediat turke thonë se spekulimet për shëndetin e Erdoganit u nxitën nga një video që e tregonte duke ecur me vështirësi, të premten e kaluar. Thashethemet morën hov në muajin tetor dhe bashkëpunëtorët postuan një video të presidentit, duke luajtur basketboll.

Erdogan shpesh shfaqet në publik dhe mban shumë fjalime në ditë. Kohët e fundit udhëtoi në Afrikë për një tur tre-ditor, si dhe në Romë, për samitin e G20-ës të liderëve botërorë. Prej vitesh, po dominon politikën turke. Në vitet 2003-2014 ishte kryeministër e prej 7 vitesh, drejton shtetin. Në Turqi, zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të zhvillohen në vitin 2023.