Film & Tv

“Spirit Untamed” – një film familjar me heroin e pabindur i cili në këtë film të dytë është i butë sa një lepur nën efektin e qetësuesve. Kritikë!

Për brezin e viteve ’80 e mbajnë mirë mend “Spirit” origjinal, i cili në 2002 kur doli u kritikua për faktin se ngjante me “Bambin” një film që kishte dalë 60 vite para tij. Por sidoqoftë kujtimet më të kanë qënë të mira, për disa arsye – ishte koha kur ne shihnim ende kartonat e vjetër të Disneyt sepse nuk kishim mundësinë ti shihnim në kohën që kishin dalë – kishte një histori shumë realiste dhe një kolonë zanore fantastike – shkruar nga Hans Zimmer dhe interpretuar nga Bryan Adams. Po ashtu në 1996 Viktor Canosinaj publikon një libër “Biri i Erës”, i cili vazhdonte të ishte popullor nëpër shkollat 8-vjeçare dhe ishte (me sa kujtoj) kryekëput historia e filmit. Nuk di t’ju them se kush u bazua ku edhe pse kureshtja ime është ende e ngacmuar për subjektin në fjalë, por ndërkohë që vitet kaluan Spirit u kthye në një personazh të dashur për breza, duke po ashtu u kthyer në libra të tjerë seriale Netlfix-i të cilat dolën nga shinat primare të personazhit duke e zbutur atë çdo herë e më shumë.

Kështu duke vazhduar trendin e serialeve që po kthehen në filma (dikur ndodhte e kundërta) Dream Works rikthen këtë verë në ekranin e madh “Të PaZbuturin Spirit” me një histori krejt të re, e për një audiencë që e njeh Spirit nga “Spirit – Pony Tales” në Netflix. Pra nga ‘Hamshori i Cimarron-it’ në Perëndimin Amerikan të shekullit të 19, në 2002, në historinë e një 12 vjeçareje e cila kërkon ti fitojë zemrën një kali-kokë-mushkë në 2021. Ajo quhet Lucky (interpretuar nga Isabela Merced, e njëjta me serinë e Netflix) dhe në film tregohet origjina e serialit, se si ajo dhe Spirit u takuan. Edhe pse 20 minuta nga filmi nuk po më pëlqente asgjë prej tij, 5 vjeçari me të cilin po e shihja tha “sa i bukur qënka”, dhe thashë me vete – ku marr vesh unë.

Hera e parë që Lucky shikon Spirit është në një tren për të shkuar në qytezën ku jeton i ati, menjëherë bien në dashuri, ajo ka një tërheqje të pashpjegueshme ndaj hamshorit. Kështu jetesa me të atin e ve (Jake Gyllenhaal), të cilin nuk e e njeh fare (pas vdekjes së të ëmës Lucky ka jetuar me gjyshin e saj i cili po garon për Guvernator dhe nuk do ta ketë atë nëpër këmbë për t’i prishur punë si mistrece që është), bëhet direkt më e pëlqyeshme. Hera e dytë që takon kalin është në një stallë duke u dhunuar nga disa ‘të fortë’ të cilët duan ta shesin duke e zbutur, por nuk ja dalin dot me forcë … Lucky me ndihmën e disa mollëve ja del më kollaj.

Skenat më të bukura të aventurës janë me shoqet e saj të reja, Abigail (Mckenna Grace) dhe Prue (Marsai Martin) kur ndërmarrin një udhëtim tejet të rrezikshëm për të shpëtuar tufën e kapur të Spirit. Është fantastike fatki që në këtë film personazhet mashkullorë janë dytësorë dhe vajzat vendosin vetë për çdo gjë, por njëkohësisht, bisha e egër është katandisur në një qen shtëpiak të bindur pa lidhje me origjinën. Me këtë dhe monologjet e munguara të Matt Damon “Spirit Untamed” ja del, siç tha im bir në përfundim të filmit të jetë ‘më i dhunshëm, por i bukur’ pjesë e personazheve të dashur të fëmijëve 20 vite më vonë – shumë larg asaj që unë mbaja mend dhe prisja, po xhanëm unë jam i rritur tashmë….

“Spirit Untamed” është duke u shfaqur në Cineplexx.