Tech

Spiunazh në internet! Microsoft: Hakerat rusë po mbështeten nga shteti

Kompania Microsoft thotë se hakerët hakerët rusë, të mbështetur nga shteti janë përfshirë në “spiunazh strategjik” kundër qeverive, organizatave studimore e humanitare, dhe bizneseve në 42 vende që mbështesin Kievin

“Që nga fillimi i luftës, Rusia ka qenë e suksesshme në 29 për qind të rasteve në sulmet e saj kibernetike ndaj aleatëve të Ukrainës, duke vjedhur të dhëna në të paktën 25 për qind të ndërhyrjeve të suksesshme në rrjetet e këtyre entiteteve”, thuhet në një raport të publikuar nga Microsoft.

Gati dy të tretat e objektivave të spiunazhit kibernetik përfshinin vendet anëtare të NATO-s. Shtetet e Bashkuara ishin objektivi kryesor dhe Polonia, kanali kryesor i ndihmave ushtarake që shkojnë në Ukrainë.

Përjashtim bën Estonia, ku nuk është zbuluar asnjë ndërhyrje kibernetike ruse që kur Rusia e filloi sulmin ndaj Ukrainës më 24 shkurt.

Sipas Microsoft, kjo mund të jetë falë vendimit të Estonisë për të kaluar të gjitha të dhënat e fushës së informatikës në sistemet “cloud”, ku është më e lehtë të zbulohen ndërhyrjet kibernetike.

Sipas raportit, gjysma e 128 organizatave që ishin në shënjestër të sulmeve kibernetike ruse janë agjenci qeveritare dhe 12% janë agjenci joqeveritare. Objektiva të tjerë të sulmeve kibernetike ruse ishin kompanitë e telekomunikacionit, energjisë dhe ato të mbrojtjes.

Microsoft tha se mbrojtja kibernetike e Ukrainës “rezultoi të ishte më e fortë” në përgjithësi sesa aftësitë e Rusisë në “valët e sulmeve kibernetike shkatërruese kundër 48 agjencive dhe ndërmarrjeve të veçanta ukrainase”.

Duke përdorur mjete të inteligjencës artificiale, raporti i kompanisë Microsoft, vlerëson se “operacionet e ndikimit kibernetik rus rritën përhapjen e propagandës ruse pas fillimit të luftës me 216 për qind në Ukrainë dhe 82 për qind në Shtetet e Bashkuara”.