Film & Tv

“Squid Game” Hit-i i Netflix na tregon gjëra që i dinim po me ca gjak më shumë, një lloj mos bëj si bëj unë po bëj si them unë në koreançe. Kritikë.

Në botë ai ka qënë kryefjala e javëve që lamë pas, në Shqipëri, përzjehet me një tjetër lloj loje, Big Brother Vip, madje ka nga ata që u ngatërrohet në kokë njëra me tjetrën. Nëse nuk e keni parë ende mirë është mos ta lexoni këtë artikull që të mos ua prishim eksperiencën.

Ajo që ju merr vëmëndjen parëz tek “Squid Game” (kuptohet pasi të keni kaluar pengesën e gjuhës – seriali është një prodhim i Koresë së Jugut, dhe personazhet flasin gjuhën koreane) është skenografia dhe kostumografia, e cila është gjithashtu një fenomen memesh nëpër rrjete sociale. Imagjinoni një distopi që bën bashkë “The Prisoner”, “The Handmaid’s Tale” dhe “Money Heist”. Shpërndarja e gjërë e meme-ve mund të jetë edhe një faktor se pse seriali u kthye në viral pak ditë pas daljes në streaming, më 17 Shtator. Arsyeja tjetër se pse shikuesit vërshuan me miliona për ta parë (kryesisht të rinj në kufij të adoleshencës) ishte sepse historia bazohej në një lojë. Kumari për të fituar një shifër marramëndëse këtu bëhet me jetën e të zgjedhurit janë ata që me kumarin, borxhet, gënjeshtrën dhe mashtrimin kanë raporte të afërta. Ata që zgjidhen dhe sekuestrohen nga një organizatë e mistershme kanë dy të përbashkëta: e para e duan bixhozin dhe e dyta janë në borxhe deri në fyt, aq keq sa kanë humbur ose po humbasin familjen, miqtë, vendin e tyre në shoqëri. Pasi dërgohen në një ishull të izoluar ata detyrohen të luajnë lojëra fëmijësh kundër njëri-tjetrit, me një ndryshim të vogël. Ai që humbet vritet!

Kur themi lojëra fëmijësh, kemi parasysh tërheqje litari, ngriva shkriva, gjëra si këto. Kur themi vritet, kemi parasysh atë kapitalen që të merr jetën – nga breshëri plumbash – tek rënie nga 100 metra lartësi. Gjashtë lojërat e serialit shpërndahen në nëntë episode që kombinojnë “Survivor” me 12.7-tëshin.

Por në fakt çfarë është “Squid Game”? Pasi përtyp skenat gjakatare dhe planet e mrekullueshme të skenografisë, seriali nuk është gjë tjetër veç një melodrame të stërdëgjuar dhe tejet të parashikueshme. Bërthama e lojtarëve duket sikur kanë dalë nga qindra filmat me luftë të Hollywood-it. Kemi liderin e fortë e të urtë, të panjohurin me huqe, rrugaçin e dhunshëm, të moçmin e mençur dhe naivin e paqtë, surrogatin që lidh shikuesin me historinë. Të gjithë vdesin në rradhën që do duhet të vdisnin. Edhe personazhi më misterioz i serialit – The Front Man kuptohet shpejt se kush është. Madje edhe ai që do duhet të ishte  i miri që kthehet në të keq nuhatet nga një kilometër larg, gjë që është për të ardhur keq.

Kështu përpos efekteve fiksuese vizuale, idesë se nga një lojë fëmijësh mund të vdesësh, është e dyshimtë pse seriali u kthye në një hit të Netflix, po aq dyshuese sa edhe fakti pse kompania vendosi të publikonte numrin e shikuesve, diçka që nuk kishte ndodhur më herët. Kritikat më të mëdha karshi “Squid Game” (me të drejtë) lidhen me pretekstin e përdorimit të funksionimit e shoqërisë globale sot si arsyeja e masakrës së qindra burrave dhe grave.

Lojtarët – një mekanik i papunë, një emigrant nga Koreja e Veriut, një investitor mashtrues, mes të tjerëve vijnë në lojë nga rrethanat dhe zgjedhjet e bëra në jetën e tyre prej dobësisë së secilit. Alegoria është e qartë: të humburit e lojës me hile të ekonomisë së Koresë së Jugut (apo botës) kanë shansin të fitojnë me ‘meritë’ duke ju shmangur vdekjes së sigurt por me rregulla të qarta loje dhe jo me mekanizma që favorizojnë më të pasurin apo më të pushtetshmin.

Por ka një ndryshim mes përdorimit thjesht të një reference dhe frymëzimit prej saj për të ngritur lart në mënyrë autentike një dramë njerëzore. “Squid Game” thotë pak ose aspak, është një ansambël personazhesh të cekët me probleme familjare klishe që motivohen nga premisa dukshëm infantile. (Aktorët si Lee Jung-jae dhe Park Hae-soo mundohen t’i japin personazheve që luajnë sfumatura emocionesh që mungojnë). Qëllimi i serialit duket të jetë vetëm të kënaqë audiencën që konfirmon idetë e tij si të pranuara. Kjo bëhet bazë për pranuar dhunën, e cila e shpërfaqur pa kurrfarë kursimi, duket si e mirëllogaritur për ‘gostinë’ me gjak të shikuesve.

Regjisori dhe skenaristi i “Squid Game” Hwang Dong-hyuk e kishte herën e tij të parë në televizion pas filmave “The Fortress dhe “Silenced”. Stili i tij është i palexueshëm, por referencat janë të qarta, ato të një brezi kineastësh që konsiderohen baballarët e kinemasë koreano jugore, Park Chan-wook dhe Kim Ki-duk, struktura stilistike dhe zgjuarsia e të cilëve lejuan dhunën të bëhej një element organik në tregimet e tyre.

Të frymëzohesh është një gjë, dhe “Squid Game” tingëllon si plagjaturë pa shije e të shkuarës për të kënaqur brezin dembel të Tik Tok-ut, për 5 minuta, sa të gjejnë një tjetër lojë kallamarësh.

“Squid Game” e gjeni në Netflix.