Celebrities

Stafi i Top Albania Radio-s ju uron gëzuar festat!

Ashtu si çdo vit, YJET  e Top Albania Radio-s dërgojnë virtualisht urimet e tyre për 2022, nga shtëpia jonë e re dhe me shumë shpresë për vitin që vjen, i cili duket se do të jetë më normal së këto të fundit. Se sa, kjo ngelet për t’u parë, por qasja optimiste është gjysma e punës, të paktën prej nesh energjia vjen e mirë…!

Ledion Liço

Në ditët e fundit të 2021 bëjmë bilancet për mirë e për keq. Të ardhur nga një vit që na rrëzoi çdo plan e pritshmëri, ky vit ishte një lloj beteje e vazhdueshme me veten për një të ardhme të pakuptimtë më të cilën nuk jemi ende gati të bëjmë llogaritë. Kemi qënë tërhiq e mos e këput, sa i gëzoheshim një kthimi të vogël në ‘normalitet’ aq tronditeshim nga humbja e një tjetër miku ose familjari nga virusi i tmerrshëm. Sa thurrnim ëndrra për të ndërtuar diçka, përballeshim me fatalitete që nuk u shmangemi dot, e me të cilat vështirë të mësohemi.

Viti me shumë 2-sha nis për pak ditë dhe në studiot tona që thërrasin atmosferë festive a thua kanë pirë hormone Krishlindjesh, mendohemi se çfarë duhet t’i urojmë vetes dhe shqiptarëve në 2022. Një vit që e nisim nga premisa shumë më të mira në krahashim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por gjithashtu një vit i cili provon se jetojmë në vorbullën e një loop-i pa mbarim.

Në vitin që kaloi (Top Albania) Radio u bë sërish burim frymëzimi dhe busull orientimi për informacion, kulturë dhe argëtim. Shumë projekte si [Time Out Tirana, Vargjet e Përtejme etj] gjetën rrugën e tyre drejt publikut të gjërë jo vetëm atij që konsumon radion lineare, bashkë me to edhe rritja e vazhdueshme e komunitetit tonë në rrjetet sociale dhe platformat e podcastit. Përpos gjithë humbjeve në 2021, duket sikur fituam veten dhe nuk ka asgjë më të vlefshme se kjo. 

Gëzuar të gjithëve! Vazhdoni të dëgjoni Top Albania Radio. Ju duam të gjithëve shumë dhe faleminderit që na e keni bërë 2021 një vit të lumtur përpos të gjithave.

Albana Ruçi

Për vitin 2022 kam për ju një urim shumë të thjeshtë, të pastër dhe dashamirës nga thellësia e zemrës. Shekullofshi diellshëm! Ridëgjohemi në vitin 2022 me plot energji, dëshirë të madhe për jetën dhe shumë para. Gëzuar!

Alen Xhelili

Ju uroj gëzuar festat e fundvitit! Uroj që Viti i Ri 2022 të na gjejë sa më pranë njëri-tjetrit dhe sa më larg pandemisë të koronavirus. Le të na shoqërojë atmosfera festive e këtyre ditëve në çdo ditë, javë dhe muaj gjatë vitit të ri që po troket. Gëzuar!

Antiola Bame

Do të doja t’ju uroja të gjithëve një vit sa më të mbarë dhe plot dashuri. Duajeni veten, duajini të afërmit, dhuroni ngrohtësi! Jeta nuk është përherë si nëpër filma, por ne kemi në dorë ta bëjmë vetë fatin tonë dhe të zgjedhim. Uroj që në 2022 të bëni zgjedhje të mençura! Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri!

Arta Sinamati

Dritat e dhjetorit mbajini ndezur edhe përgjatë këtij viti të ri që t’ju ngrohin zemrat dhe shpirtin! Gëzuar! Shëndet dhe dashuri, nga unë Arta Sinamati!

Dorjana Lato

Uroj një vit 2022 që të sjellë për ty momente të lumtura, me shumë gjëra të bukura dhe emocione të forta. Por mbi të gjitha, të kulmojë me realizimin e gjithçkaje që dëshiron! Gëzuar, për një vit të veçantë!

Edison Hallaçi

Uroj shumë që viti 2022 të jetë si nëpër filma! Kur them si nëpër filma, them një vit me plot të qeshura, dashuri e shumë aventura. Jeta është si një film dhe ti duhet të jesh ylli i tij. Gëzuar!

Elios Shuli

Gëzuar Vitin e Ri të gjithë dëgjuesve të Top Albania Radio! Uroj vërtet që 2022 të jetë viti juaj! Uroj vërtet që shumë njerëz t’ju thonë ‘mirëmëngjes’ siç i thanë Donaldit dhe Borës! Uroj që po ashtu të jeni Beatrix në krahët e dikujt! Por mbi të gjitha uroj që të keni dashuri në familje, shëndet, lumturi dhe ngrohtësi! Dhe mos harroni të doni veten në rradhë të parë dhe njerëzit. Gëzuar 2022 nga mbidoza juaj e vitaminës C!

Eriselda Doko

Miq të radios sonë, uroj me zemër që shkëlqimi i dritave shumëngjyrshe të festive të fundvitit të ndriçojë dhe të ngrohë zemrat tuaja me mirësi dhe plot dashuri! Gëzuar!

Isli Islami

Në këtë moment do të doja t’i uroja të gjithë dëgjuesit e Top Albania Radio-s, por edhe të gjithë shqiptarëve, paçi një zemër të gëzuar dhe në vitin që vjen të merrni vetëm lajme të mira! Gëzuar Krishtlindjen dhe gëzuar Vitin e Ri!

Ksenja Shoshaj

Unë besoj tek Babagjyshi. OK, e dimë. Algoritmet e Google të sigurojnë mosekzistencën e tij, por përse nuk e harruam kurrë dhe vazhdojmë ta përmendim çdo fundvit? Besoni në ndjesitë e bukura, miq! Këto festa do të jenë magjike.

Ori Nebijaj

Miq të Top Albania Radio-s, ju uroj që ky fundvit t’ju gjejë në paqe, ngrohtësi dhe vetëm me lajme të bukura! Uroj vetëm më të mirat për ju dhe shumë shëndet, pasi në këto kohë është ajo që na mungon më shumë! Ju dua shumë dhe gëzuar festat e fundvitit!

Adi, Salsano & Dj Vini

Shqiptarë, gëzuar Vitin e Ri 2022, shëndet e mbarësi në familjet tuaja! Gëzuar!

Stenaldo Mëhilli

Përshëndetje të gjithëve a e dini, këto dy vitet e fundit nuk ka qenë fort e lehtë të përqafohemi me njëri-tjetrin. Ama, për ne që flasim nga radio dhe për ju që dëgjoni që andej, përqafimet janë të sigurta dhe të bukura. Gëzuar Vitin e Ri 2022! Paçi gjithmonë lumturi edhe gaz në zemrat tuaja, madje edhe në kohën kur bota praktike kërkon ndoshta një ndjesi tjetër! Gëzuar të gjithëve!