Auto & Moto Tech

Starlink vjen me mision të ri, në fokus autobusat e shkollave!

SpaceX po piloton një program për të zgjeruar shërbimin e saj të internetit satelitor në disa autobusë shkollorë në SHBA. Kompania i tha FCC-së se aktualisht po punon me shkollat në zonat rurale të vendit për t’iu ofruar nxënësve shërbimin satelitor të internetit të SpaceX në autobusë.

Kompania e Elon Musk i tha FCC-së se po fokuson programin pilot në linjat e autobusëve që bëjnë rrugë mbi një orë dhe kryesisht nuk kanë qasje për shërbimet e tjera celulare me brez të gjerë. Starlink, është shërbimi i internetit satelitor i kompanisë së SpaceX, CEO i së cilës është Elon Musk. Musk tha ditë më parë se Starlink ka shtrirë ndikimin në shtatë kontinente.

Rikujtojmë, se shërbimi i internetit nga hapësira i Starlink vazhdon të zgjerohet në raste të reja përdorimi siç ka bërë së fundmi edhe në anije me lançimin e ‘Starlink Maritime’. Tani është e disponueshme për varkat në lëvizje, me një kosto prej 5,000 dollarësh në muaj. Starlink Maritime kërkon gjithashtu një blerje vetëm një herë prej 10 mijë dollarësh të dy pajisjeve të Starlink me performance të lartë dhe të fortë, të cilat dërgohen për rreth dy javë, sipas faqes së porosive në SHBA.

Ndërkaq, së fundmi Elon Musk tha se është duke testuar internetin satelitor Starlink të SpaceX në avionin e tij privat. Me anë të një postimi në Twitter, miliarderi i teknologjisë shkroi se:

Po testoj Starlinkun në aeroplan. Nevojitet pak lustrim, por po funksionon mjaft mirë.